Ndoka takon përfaqësues të demokristianëve italianë
Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka dhe ai i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehu, zhvilluan dje një takim me përfaqësues të partive demokristiane të Italisë, me senatorin Bruno Ferrara, kryetarin e Grupit Parlamentar të UDC-së, Xhiakomo Kuadrini dhe zëdhënësen politike të UDC-së, Enrika Prandelli. Përfaqësuesit e delegacionit të lartë të UDC-së morën pjesë një natë më parë në hapjen e fushatës elektorale të Partisë Demokristiane në Qarkun e Tiranës. “Ne i njohëm miqtë tanë me përmasat që po merr kjo lëvizje e fuqishme politike, për mbështetjen e gjerë që po merr ky grupim i ri politik nga shtresat e gjera të shoqërisë, që nuk e kanë gjetur vetën të përfaqësuar politikisht ne këto tetëmbëdhjetë vite, ku pushteti është kontrolluar me rrotacion, nga dy partitë e vjetra. Edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, dy partitë e vjetra, nëpërmjet manipulimeve ligjore dhe krijimit të karteleve elektorale, synojnë të pengojnë çdo ndryshim thelbësor në politiken shqiptare, kërkojnë të ruajnë monopolin politik dhe sundimin si alternativë qeverisjeje. Ne u dhamë garanci miqve tanë italianë se grupimi ynë politik është një bashkim i faktorit progresiv të politikës, që kërkon të ndryshojë Shqipërinë dhe realitetin e saj politik, të mbajtur peng nga dy forcat e vjetra politike, PD dhe PS”, - është shprehur Ndoka pas takimit.
20 Prill 2009