E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama firmos me Dulen, Ngjela kërkon që PS të marrë garancitë

Edi Rama dhe Vangjel Dule kanë konkretizuar dje publikisht marrëveshjen e tyre, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Pakti u cilësua si një dokument që garanton një marrëdhënie të posaçme bashkëpunimi, për sot dhe të ardhmen. Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule theksoi se marrëveshja përfshin mbështetje të ndërsjelltë në njësitë e pushtetit vendor për kandidaturat tona, por edhe një veçori, sa i takon konkurrencës së shëndoshë midis dy partive aleate, në njësi të caktuara të pushtetit vendor. Këtë, vijoi Dule, e konsiderojmë jo vetëm një gjest emancipimi, por edhe tregues të asaj që ne nënkuptojmë si ballafaqim alternativash, opsionesh, kandidaturash. Në vlerësimin e kreut të PBDNJ-së është misioni i opozitës së bashkuar, që zgjedhjet e 8 majit të mos nxjerrin vetëm krerë bashkish e komunash të denjë të komunitetit lokal, po ta japin edhe atë rezultat plebishitar që shoqëria e ka treguar në mënyra të ndryshme se ekziston në vlerësimin e saj për tu hapur rrugën zhvillimeve politike, që të nxjerrin vendin nga ngërçi politik, nga kriza e stërzgjatur që mbajnë peng objektiva strategjike të qytetarëve. “PBDNJ do të mbështesë kandidaturat e aleancës për të ardhmen, duke filluar nga Bashkia e Tiranës dhe në çdo bashki edhe komunë të periferisë, sikurse edhe “Aleanca për të Ardhmen”, siç e ka bërë të qartë, do të mbështesë kandidatët e PDBNJ, në një numër njësish të pushtetit vendor”, premtoi Dule. Sakaq, kreu i PS Rama nënvizoi se nuk i janë dashur shumë fjalë për tu marrë vesh me PBDNJ dhe me atë që e cilëson miku e kolegu, Vangjel Dule. “Kemi shprehur në këtë marrëveshje gatishmëri që të mbështesim reciprokisht kandidatët përfaqësues të secilës palë, e me palë kemi parasysh nga njëra anë Aleancën për të Ardhmen dhe nga ana tjetër PDBNJ”, u shpreh Rama. Vangjeli e theksoi, sqaroi kreu i PS-së, unë e ritheksoj se ne kemi zgjedhur gjithashtu lirisht që edhe të konkurrojmë në njësi të caktuar, por do të jetë një konkurrencë e ndershme, e cila do të bazohet në vlerat etike dhe të programuara dhe njëkohësisht do të shpreh qasjen tonë ndaj vlerave të demokracisë.

Ngjela

Aleatët në opozitë të PS kanë kërkuar dje që gjatë negociatave të merren garanci për zgjedhjet. Në të kundërt, paralajmëroi Spartak Ngjela, ditën e zgjedhjeve më 8 maj do të ketë vetëm protesta popullore. “Kontrolli i kartës, i listave dhe ai paszgjedhor është domosdoshmëri e garantizmit. Nëse nuk jepet garantizëm, njerëzve u jepet e drejta të dalin në rrugë. PS të jetë e vëmendshme dhe të ketë parasysh se nëse këto kushte nuk garantohen, dita e zgjedhjeve do të jetë dita e protestës për kthimin e demokracisë reale në Shqipëri”, deklaroi Ngjela

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›