E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pret Rexhepin: Bashkëpunim në luftën kundër krimit

TIRANE- Shqipëria dhe Kosova angazhohen sëbashku në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike. Ministrat e Brendshëm të dy vendeve, Lulëzim Basha dhe Bajram Rexhepi janë takuar në Tiranë dhe kanë shprehur vullnetin në forcimin e bashkëpunimit mes policive kufitare të të dy vendeve për të goditur krimin e organizuar.
“Me kënaqësi konstatuam se në tremujorin e parë të këtij viti operacionet e përbashkëta kanë sjellë një volum goditje ndaj krimit pothuajse 4 herë më të madhs e sa tre mujori i parë i vitit 2009. Kemi kapacitetet e plota në mënyrë që të sigurojmë që aq sa i lehtë të jetë kalimi i kufirit për shtetasit e dy republikave aq i pakalueshëm të jetë për krimin“ theksoi Basha.
“Prioritet i yni bashkarisht është sundimi i rendit dhe ligjit dhe lufta kundër të gjitha formave të krimit, kontrabandës e trafiqeve. Do të jemi të gatshëm për lëvizjen e lirë, sidomos gjatë sezonit, por jashtë asaj të minimizojmë krimin e organizuar, kontrabandën e trafiqet që është në interes të dy shteteve dhe rajonit në përgjithësi“ u shpreh ministri Rexhepi.
Ministri i Brendshëm shqiptar theksoi se vendi ynë do të vërë në dispozicion të gjitha burimet që mund të ndihmojnë Kosovën në procesin e heqjes së vizave me vendet e hapsirës Shengen. Po ashtu , për Ministrinë e Brendshme të Kosovës do të vihet në dispozicion e gjithë përvoja e qeverisë shqiptare përsa i përket prodhimit të letërnjoftimeve elektronike.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›