E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i arsimit, drafti do rishikohet



Pas kundërshtimit të Universitetit të Tiranës për projektligjin e ri të arsimit të lartë, sinjale pozitive vijnë nga Ministria e Arsimit. Burime pranë këtij dikasteri pohojnë se grupi i punës ku do të jenë prezent edhe përfaqësuesit e shkollave të larta do ta marrë edhe njëherë në shqyrtim draftin. Ndryshimi i titujve të diplomave është pjesa që ka ngjallur më shumë debat dhe kundërshtime nga komuniteti universitar. Sipas krerëve të shkollave të larta, me këtë nen është bërë diskriminim i diplomave të fituara më parë. Ata kanë kërkuar që të mos ketë diferenca mes viteve të shkollimit dhe titujve të diplomave që do të marrin studentët. Ndryshimet e titujve të diplomave u bënë publike disa javë më parë nga vetë kreu i MASH, Myqerem Tafaj. Sipas tij, diploma e nivelit të parë kthehej në Bachelor, Master i Nivelit të Parë do të quhet thjesht Master dhe Diploma e Nivelit të Dytë, shndërrohej në Master i Shkencave. Ndër risitë e tjera, ministri përmendi edhe autonominë e universiteteve dhe mundësinë e dypunësimit të pedagogëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›