Aparaturat e QSU, tani do rregullohen për 48 orë
Qindra ankesa të pacientëve që kurohen në spitalin “Nënë Tereza”, për prishjen e aparaturave. Në të tilla raste janë dashur javë të tëra për riparimin e tyre e qytetarët janë detyruar të paguajnë te privati. Kjo, pasi pjesa më e madhe e kontratave të mirëmbajtjes kanë munguar. Drejtoria e QSU i jep fund këtij problemi për të paktën 1 vit. Nga sa bëri me dije zyra e marrëdhënieve më publikun, ka përfunduar nënshkrimi i kontratave me të gjitha firmat private për mirëmbajtjen e aparaturave dhe pajisjeve të imazherisë. Sipas kontratave të nënshkruara, firmat janë të detyruara të rikthejnë në gjendje pune aparaturat e prishura deri në 48 orë dhe në rastet kur pajisjet janë të veçanta dhe duhet të vijnë nga jashtë, deri në një javë. Sipas drejtorit të QSUT-së, të gjitha kontratat kanë përfunduar, ndërkohë që nga fillimi i vitit, ky shërbim u mbulua me kontrata shtesë. “Aktualisht QSUT i ka mbyllur të gjitha kontratat që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe rregullimin e aparaturave të imazherisë dhe ekzaminimeve. është e rëndësishme të theksohet se të parat kontrata që realizuan ishin ato të aparaturave unike në vend, apo aparaturave shumë të rëndësishme, siç janë skanerët apo rezonanca magnetike”, tha reku i QSU, Ilir Dashi. Sipas tij, janë afërsisht 90 aparatura për të cilat do të kujdesen firmat private. “Lidhja e kontratave ishte një nga angazhimet kryesore nga ana jonë për vetë faktin që pacientit t’i ofrohet shërbimi në kohën dhe në momentin e dukur. Duke pasur parasysh se ekzaminimi është hapi i parë që ndiqet në QSUT, ne u përpoqëm që këto aparatura të jenë non stop në dispozicion të tyre”, nënvizoi Dashi. Këto kontrata do të jenë të vlefshme deri në 31 dhjetor të këtij viti.