E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pret ambasadorin e ri rumun në Tiranë

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, priti dje në një takim ambasadorin e ri të Rumanisë, Viorel Stanila. Ministri i ka uruar mirëseardhjen ambasadorit, duke i siguruar mbështetjen e qeverisë dhe shtetit shqiptar në kryerjen me sukses të misionit të tij në Shqipëri. Basha u shpreh se Shqipëria është e interesuar për të nxitur bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. "Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, si dhe rruga e saj drejt anëtarësimit në BE, bëjnë që bashkëpunimi ynë dy dhe shumëpalësh të fitojë dimensione të reja", u shpreh Basha. Duke folur për bashkëpunimin rajonal, ministri Basha e konsideroi atë si të domosdoshëm për proceset integruese rajonale, evropiane e më gjerë. Pavarësia e Kosovës, zhvillimet pozitive në atë vend, ecuria e proceseve integruese të vendeve të rajonit në strukturat evropiane dhe euroatlantike, forcojnë paqen në rajon, rrisin sigurinë dhe progresojnë drejt zhvillimit. Ambasadori i ri rumun, Viorel Stanila, e ka falënderuar ministrin Basha për pritjen e rezervuar dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar në nxitjen e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe. Mbasi përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE, ai theksoi se kontaktet do të vijnë duke u shtuar, në kushtet e një partneriteti euroatlantik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›