E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA i dhuron policisë pajisje të reja për sistemin TIMS

Ambasada amerikane dhuron disa pajisje shtesë për programin TIMS të Policisë së Shtetit. Dhurimi është bërë gjatë një ceremonie, ku u nënshkrua edhe një marrëveshje mes ambasadorit amerikan dhe ministrit të Brendshëm. Bujar Nishani nënshkroi me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John L. Withers II, marrëveshjen e dhurimit nga qeveria amerikane nëpërmjet programit ICITAP për Policinë e Shtetit, të disa sistemeve hardware dhe software në funksion të sistemit TIMS dhe programit MEMEX. Ministri Nishani e cilësoi këtë dhuratë një ndihmë të çmuar për realizimin e funksioneve dhe detyrave të përditshme të Policisë së Shtetit. "Sot, falë kësaj asistence dhe funksionimit në themel të sistemit TIMS realizohen një sërë shërbimesh të informatizuara, si sistemi i kërkimit, sistemi i arkivit kriminale, sistemi i informacionit të kontrollit kufitar, raportimi i ngjarjeve, apo dhe ai i programit MEMEX, përmes të cilit administrohen të dhënat kriminale në funksion të analizave të veprimtarive kriminale", u shpreh ministri Nishani. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se pa këtë përparim të teknologjisë, lufta kundër krimit të organizuar, kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve si prioritete të angazhimit të qeverisë shqiptare, nuk do të kishin mundur të arrinin në standardet që kemi sot. Ministri Nishani konfirmoi në emër të Ministrisë së Brendshme se ndihma e dhënë deri më tani policisë shqiptare nga ana e qeverisë së SHBA-së dhe popullit amerikan, ka qenë një ndihmë tërësisht eficente, që i ka shërbyer maksimalisht konsolidimit të institucioneve të shtetit shqiptar, i ka shërbyer rritjes së sigurisë dhe shërbimit të qytetarëve shqiptarë, por edhe sigurisë së tërë rajonit tonë. Ambasadori i SHBA-së, John L. Withers II, vlerësoi në fjalën e tij se sistemi TIMS ka avancuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke nënvizuar se tashmë jemi në fazën kur ky sistem pritet të përfundojë shtrirjen e tij në të gjithë Shqipërinë. Ambasadori Withers u shpreh se me këtë donacion me vlerë mbi një milion dollarë, donacionet e përgjithshme kapin vlerën e 14 milionë dollarëve, si dhe e cilësoi donacionin e djeshëm një gur të rëndësishëm kilometrik në rrugën e kalimit të sistemit TIMS në duart e Policisë së Shtetit. Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, drejtori i Programit ICITAP, Darrel Hart, si dhe funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe këshilltarë të programit ICITAP.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›