Fushata, auditi i partive sërish i dyshimtë
Ekspertët kontabël që pritet të auditojnë financat e partive politike në zgjedhje, sipas gjasave, nuk do të sjellin asgjë të re në kuadër të transparencës. Arsyeja është e thjeshtë. Së pari, në vlerësimin e analistëve të politikës, sistemi ynë ka nevojë për një reformë të thellë në drejtim të financimit të partive. Së dyti, ekspertët kontabël, bazuar në Kodin e ri Zgjedhor, nuk do të mund të hetojnë mbi vërtetësinë e deklarimeve dhe as të marrin në pyetje personat, pasi këtë e ka në kompetencë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Një strukturë kjo e krijuar mbi parimin e balancimit mes forcave kryesore të politikës në vend. Në kapitullin për auditimin e fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore, në pikën dy thuhet se "subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ, çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore sipas këtij Kodi". Më tutje parashikohet që "KQZ mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përfshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshëm, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport". Thënë ndryshe, eksperti administron të dhënat, ndërsa vërtetësinë e tyre dhe procesin e mirëfilltë hetimor e kanë në dorë të zgjedhurit e partive në pozicionin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Referuar Kodit të ri Zgjedhor, analisti Henri Çili thotë se "nuk do të funksionojë asnjë skemë burokratike për kontrollin e financimit të fushatës". Sipas tij, duhet me urgjencë të reformohet sistemi i financimit të jetës politike përmes tri masash: dhjetëfishimi i buxhetit të shtetit për partitë dhe fushatat, liberalizimi i financimit privat për partitë nga grupet e interesit, nga lobe, nga individë në Shqipëri. Së treti, vijon ai, duhet kaluar në skemën amerikane, që është një skemë më e vërtetë dhe më efikase. "Kështu do të kishim një politikë më pak të korruptuar, më të vërtetë", insistoi Çili. Sakaq, analisti Blendi Kajsiu mendon se skema e auditimit do të funksionojë shumë pak. "Në parim nuk mendoj se auditimi është ide e keqe, pasi legjislacioni mbi partitë linte një boshllëk tek çështja e financimit. Ligji për partitë politike thoshte se financimin e tyre e kontrollon KLSH, ndërsa ligji për KLSH thoshte që ajo kontrollon vetëm fondet publike, çka linte fare zbuluar financimet private", thotë Kajsiu. Sipas tij, ndonëse në parim përmirësimet legjislative janë të dobishme, çështjet themelore si financimi i partive nuk zgjidhen thjesht me legjislacion apo kontroll. "Kjo nuk ka funksionuar as në vende me administratë të fuqishme si SHBA-të ku janë bërë reforma legjislative pa fund dhe pa sukses", krahason Kajsiu. Në vlerësimin e tij, debati për financimin e partive politike duhet hapur me themel duke filluar me pyetjen nëse partitë duhen financuar nga burime private apo publike. "Financimi publik ka gjithashtu problemet e veta, por duhet parë me seriozitet, duke pasur parasysh rolin në rritje të privatit dhe implikimet që ka kjo për procesin politik", thotë Kajsiu. Duke qenë një problem i përhershëm, informaliteti i financimit të fushatave elektorale, këtë vit është vënë në fokusin e monitorimit nga disa organizata me mbështetjen e fondacionit "Soros" dhe NED. Përmes hetimit të tregut të reklamave, shpenzimeve për bill-borde e posterë do të synohet nxjerrja e një fature financiare të partive për ta krahasuar atë më pas me financimet zyrtare që partitë marrin nga qeveria dhe donatorë legalë.