E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha pret delegacionin kinez: Tirana e përshtatshme për investime

TIRANË- Një javë e rëndësishme nis sot për Tiranën. Në qëndër të saj, do të jenë investimet e huaja, projektet strategjike të qytetit dhe përfundimi i draftit të planit urbanistik. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti në një takim një delegacion me drejtues vendorë dhe biznesmenë nga Bashkia e Nanjingit, të kryesuar nga nënkryetari i Bashkisë, z. Li Fuquan. 

Kjo vizitë, sipas Kryetarit të Bashkisë, dëshmon besimin që investitorë të rëndësishëm kanë tek Tirana dhe projektet e Bashkisë, për zhvillimin ekonomik dhe punësimin. "Panairi i teknologjisë që nis nesër, me pjesëmarrjen e këtij delegacioni të madh të industrialistëve kinezë dhe partnerëve të tyre shqiptarë, është hapja e një kapitulli të ri për kontributin e kapitalit kinez në rritjen ekonomike të Tiranës, në investimet në Tiranë, që përkthehen në hapjen e më shumë vendeve pune për qytetarët e Tiranës dhe në veçanti për rininë e Tiranës", u shpreh Basha. 

Duke prezantuar projektet e tij për zhvillimin e Tiranës, kryebashkiaku Basha bëri të ditur se ka përfunduar draft plani i ri urbanistik, në të cilin parashikohen investime të mëdha në infrastrukturë, ndërtimi i Unazës së Madhe, zgjatimi i bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i dy linjave të tramit dhe terminalit multimodal të pasagjerëve, etj. 

Këto, u shpreh Basha, janë mundësi të mëdha dhe ne mirëpresim investitorët kinezë, të bëhen pjesë e zhvillimit të Tiranës. Takimi i Bashës me delegacionin kinez kishte në qendër zhvillimet e reja në Tiranë, bulevardin e ri, rehabilitimin e lumit të Tiranës, projektet e infrastrukturës dhe gjithë impaktin që kjo do të sjellë për investimet private, në veçanti në fushën e prodhimit, por po kështu në fushat e ndërtimit, shërbimeve dhe infrastrukturës. 

"Vendi ynë ka një ambient miqësor për biznesin dhe taksat më të ulta në Europë. Regjistrimi i një biznesi bëhet në 30 minuta dhe vetëm për një euro, sikundër lejet dhe liçencat merren në një sportel unik, për 7 deri në 10 ditë", bëri të ditur Basha. Po kështu, u shpreh ai, një praktikë e re është vendosur në Bashkinë e Tiranës për lejet e ndërtimit, marrja e së cilës nuk do të zgjasë më shumë se 55 ditë. Basha i garantoi investitorët kinezë se Bashkia do të bëjë gjithçka për suksesin e tyre dhe që ata të ndihen si 'në shtëpi'. 

"Investimet e huaja kërkojnë një ambient të përshtatshëm dhe Tirana ia ka arritur të bëjë pikërisht këtë, të krijojë një ambient miqësor për biznesin, të krijojë një ambient miqësor për investitorët dhe një plan të mirë të investimeve dhe të projekteve strategjike. Kjo është arsyeja se pse ky delegacion ndodhet sot në Tiranë", u shpreh Kryebashkiaku Basha. 

Nënkryetari i Bashkisë së Nanjingit shprehu bindjen se investitorët kinezë do të përzgjedhin Tiranën për të shtrirë aktivitetin e tyre, sikundër vlerësoi lehtësirat për biznesin dhe vizionin e projektet e zotit Basha për zhvillimin e qytetit. Zoti Li Fuquan i dorëzoi Kryetarit të Bashkisë, zotit Basha, edhe ftesën zyrtare të Kryetarit të Bashkisë së Nanjingit, sikundër pranoi ftesën e zotit Basha, që Kryetari i Bashkisë Ji Jianye, të vizitojë Tiranën. Në përbërje të delegacionit kinez janë drejtues të 67 sipërmarrjeve, ndër 500 më të rëndësishmet në Kinë dhe 100 biznesmenë, të cilët kanë zgjedhur Tiranën, si destinacionin e parë të tyre në Europë. Ata do të jenë pjesë e panairit të teknologjisë dhe investimeve që çelet nesër në Tiranë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›