E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi, INSTAT do të punësojë 15 mijë persona

TIRANË- Regjistrimi i popullsisë dhe banesave do të jetë një proces sa i gjatë aq edhe impenjativ. Për të kryer këtë proces, INSTAT do të punësojë 15 mijë persona.

Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, gjatë një intervistë televizive shpjegoi mënyrën e kryerjes së këtij regjistrimi, i cili do të bëhet derë më derë. Do të jenë anketuesit që do të shkojnë në çdo shtëpi për të kryer intervistat. “Do të angazhohen 15 mijë punonjës, të cilët do të përzgjidhen në bazë të kritereve që ka ofruar INSTAT, në bashkëpunim me ekspertizën e huaj, e cila bashkëpunon me ne prej janarit të këtij viti", tha Nurja. Sipas INSTAT, procesi i regjistrimit do të nisë më 1 tetor dhe mendohet se në fund të nëntorit të këtij viti të ketë edhe një rezultat paraprak të anketimit."Puna do të zgjasë rreth tri javë, ku do të pyeten të gjithë personat. Pasi të mbyllet procesi i censusit, pyetësorët do të përcillen në INSTAT, do të skanohen dhe besoj se në fund të nëntorit do të kemi rezultat paraprak",- tha Nurja. Shefja e INSTAT-it siguroi për një regjistrim me një marzh gabimi tepër të ulët. "Statistika ka një marzh gabimi, megjithatë INSTAT për herë të parë në bazë të censusit, do të kryejë një proces tjetër verifikimi",- tha ajo. Konfidencialiteti do të jetë i plotë dhe gjatë përpilimit të të dhënave specialistët nuk do të kenë emrin e mbiemrin e të anketuarit, por vetëm përgjigjet e tij. Në formular nuk specifikohet kombësia, por qytetarët do të pyeten për grupin etnik të cilit i përkasin. Qeveria miratoi sanksione deri në 1 milion lekë gjobë nëse qytetarët do të bëjnë deklarime të rreme lidhur me pyetësorët e formularit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›