Mes reformave dhe krimeve te Brigadave të Kuqe
Sipas Bankës Qendrore Europiane inflacioni do të rritet së shpejti në vendin fqinj të Italisë. Por në buletin mujor të saj Banka Qendrore Europiane nuk ka folur vetëm për Italinë por ka nxjerrë edhe të dhëna në përgjithësi për Europën. “Në perspektivë, do të jenë të nevojshme ndërhyrje ambicioze që do të shërbejnë për të përmirësuar politikat e bilancit{…}”. Sidoqoftë Italia rrezikon inflacionin ndoshta edhe për shkak të rritjes të Tvsh-së, por jo vetëm fqinjët italianë por edhe Irlanda, Qipro, Franca dhe Portugalia, të cilat kanë rritur Tvsh-në në vendet respektive e cila do të bënte të mundur që në zonën euro inflacioni të shkonte më tepër se 2% për të gjithë vitin 2012. Përsa i përket besimit të konsumatorëve italianë mund të thuhet se në fundin e vitit 2011 është ulur në nivele që janë regjistruar vetëm në muajt e parë të vitit 2008. “Duke analizuar zhvillimin që prej vitit 2009, në Itali besimi, pas një rritje, ka filluar të dobësohet për të arritur në nivelet e viteve 2008 – 2009” – shton më tej në buletinin e saj Banka Qëndrore Europiane. Në të njëjtën kohë BQE shikon në ulje edhe Gdp e vendeve të Eurozonës me një ulje 0,1% dhe një rritje me 2,2% për vitin 2013. Me një papunësi që në zonën euro arrin në 10,7% (prej 15 vjetësh që nuk ishte në të tilla nivele) rrezikon që të përkeqësohet akoma edhe në trimestrin e ardhshëm sepse sipas Bankës Qëndrore Europiane “kushtet e tregut të punës janë dobësuar bashkë me rritjen ekonomike të dobët”. Në fakt, në Itali presidenti i Këshillit të Ministrave Mario Monti, vetëm disa ditë më parë ka nenvizuar faktin se tregu i punës ka nevojë për një reformë të thellë natyrisht për të garantuar rritjen dhe besueshmërinë e Italisë në nivelet ndërkombëtare. Edhe liderët e partive italiane kanë kërkuar që të gjendet një marrëveshje e cila më vonë të aprovohet në Parlament. Flitet për një rishikim të tregut të punës në mënyrë që të forcohet efikasiteti i saj. Vetë presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Monti ka nënvizuar më tej se reforma është drejt përfundimit. Por nga ana tjetër Alfano ka qenë dakort për reformën por pa rritur kurrsesi sipas tij koston e saj për firmat. Kazini (ndër ta që mbrojnë punën e qeverisë teknike të Mario Montit) ka saktësuar pozicionin e tij dhe atë të Mario Montit. “Nuk jam unë që do të bëj programin e ditës” sepse president i Këshillit të Ministrave është Monti dhe ai do ta bëjë programin. “Ne si persona të edukuar do të flasim për gjëra që do të na parashtojë ai” sepse sipas Kazinit “kur ka një shef, dhe shefi është Monti të tjerët duhet të flasin për atë që shefi vendos në tavolinë”. Sidoqoftë takimet e punës mbi reformën e punës në Itali janë të vazhdueshme. Ka shumë nga ata që kujtojnë se më 19 mars të 2002, Brigadat e Kuqe do të vrisnin Marko Biaxhin ndërsa po punonte për këto reforma madje shumë prej ligjeve që kanë të bëjnë (vlen të përmendet ai i shkurtit të vitit 2003, ligji 30) me punën do të merrnin emrin e Marko Biaxhit. Dhjetë vjet pas krimit të Brigadave të Kuqe Ministrja e Welfare, Elsa Fornero kërkon të reformojë kontratat e punës. Fornero kërkon të ndërhyjë në atë pjesë që mungon akoma në reformën Biaxhi që është ajo e reformës të amortizatorëve socialë siç quhet shpesh nga italianët. Natyrisht që kjo reformë ka një impakt të drejtpërdrejtë me familjet italiane. Për këto të fundit është shkruar edhe në buletinin e lartpërmendur të Bankës Qëndrore europiane. Për muajin janar, gjithmonë sipas buletinit mujor të Bankës Qëndrore Europiane, kredia për familjet dhe firmat në zonën euro po jep shenja përmirësimi duke regjistruar një rritje prej 0,8% që arrin në 2,1% për muajin janar. Një rritje e lehtë por e dukshme siç ështe shprehur edhe presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi disa ditë më parë kur nënvizonte se ekonomia europiane po shkon drejt stabilizimit të saj. “Ka shenja stabilizimi të aktivitetit në zonën euro” dhe “pritet që zona euro të regjistrojë një rritje graduale përgjatë vitit 2012. Prespektivat ekonomike mund të mbahen nga kërkesat nga jashtë, nga taksat e interesit afatshkurtëra dhe nga të gjitha masat e marra për mbështetjen e sektorit financiar. Sidoqoftë duket se është evituar situata jo e mirë e borxhit. Dy huatë e mëdha të lëvruara nga Banka Qëndrore Europiane në dhjetor dhe në shkurt, janë vendosur në rrethana të jashtëzakonshme në trimestrin e fundit të vitit 2011 dhe kanë kontribuar për mospërhapjen e debisë sovrane.