Basha takon krerët e njësive bashkiake, bojkoton opozita
TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, zhvilloi dje takimin e tij të parë me krerët e njësive bashkiake, ku munguan përfaqësuesit e së majtës. Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, fushata tanimë ka mbaruar dhe është koha për punë. “Shpresoj që dhe katër kolegët që mungojnë, do të na bashkangjiten në mbledhjen tjetër. Pavarësisht prej ngjyrave politike që përfaqësoni, si kryetarë të zgjedhur të minibashkive të Tiranës, mesazhi kryesor që dua të jap sot është: bashkëpunim i plotë, i gjithanshëm, pa asnjë dallim, mes Bashkisë së Tiranës dhe 11 minibashkive të saj”, - u shpreh Basha. Kryetari i Bashkisë sqaroi dje gjatë mbledhjes se takime të tilla do të jenë të përmuajshme. Në funksion të një shërbimi sa më të mirë ndaj qytetarit, Basha deklaroi se të hënën e ardhshme do të fillojë funksionimi i një grupi pune për decentralizimin, në përbërje të të cilit do të ketë kryetarë të minibashkive dhe ekspertë të njohur të fushës. “Shërbimi ndaj qytetarit është më cilësor, kur është më afër tij. Ne do të punojmë, që të kemi decentralizim real, jo vetëm të autoritetit dhe kompetencave ligjore, por edhe të burimeve”, - tha Basha. Kryetari i bashkisë vuri në dukje gjithashtu se bashkëpunimi me kryetarët e minibashkive do të bazohet në parimet e respektit reciprok, transparencës, por edhe të llogaridhënies. Nga ana e tyre, kryetarët e minibashkive vlerësuan vullnetin e mirë, për të ndarë përgjegjësitë në bashkëqeverisjen e qytetit.