Zgjedhja e Presidentit, ambasadori holandez: Të jetë konsensual
TIRANË- Zgjedhjet konsiderohen të mbyllura edhe për faktorin ndërkombëtar. Ata shprehen se është koha që partitë politike të ulen në tryezë për zbatimin e 12 rekomandimeve që duhet të plotësojnë në funksion të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. I pari që përcjell mesazhin në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes një prononcimi publik është ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Henk Van Den Dool. Në një deklarim për mediat, ai ka theksuar se kapitulli për kryebashkiakun e Tiranës është i mbyllur dhe se Berisha dhe Rama duhet të ulen në një tryezë për realizimin e reformave. “Roli i ndërkombëtarëve në nxitjen e dialogut mes opozitës dhe mazhorancës është mbështetës. Unë di që vitin e kaluar nisi një tryezë mes partive politike, por që u la përgjysmë. Ne duam që kjo tryezë mes mazhorancës dhe opozitës të rifillojë sërish për 12 hapat e integrimit të BE-së. Raporti i ODIHR-it do të dalë në muajin shtator. Polarizimi politik ka bërë që të ngadalësohet integrimi në Bashkimin Europian”, - tha ambasadori Van Den Dool. Duke theksuar nevojën e përfshirjes së opozitës në Kuvend, ambasadori holandez për herë të parë sjell në vëmendje edhe një debat jo pak të mprehtë mes mazhorancës dhe opozitës për Presidentin e vitit të ardhshëm. Edhe pse duhet një vit nga mbarimi i mandatit të Presidentit aktual, ambasadori holandez pret që në sesionin e ardhshëm parlamentar të ketë konsensus jo vetëm për votimin e ligjeve, por edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri. “Duhet që Presidenti i ri të mos jetë një zgjedhje politike. Opinioni im është që Presidenti të mos jetë politik. Zgjedhja e tij në vitin 2012 duhet të jetë me mazhoritet të madh dhe të përmbushë disa kritere”,- tha Van Den Dool. Përsa i takon ndryshimeve kushtetuese të paralajmëruara nga opozita, ambasadori i Holandës në Tiranë kërkon që për këtë çështje duhet të vendosë një shumicë e madhe njerëzish. Prej kohësh, Partia Socialiste ka paralajmëruar një paketë ndryshimesh që prekin mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, e deri te disa marrëdhënie, që duhen rregulluar mes institucionesh të pavarura. Në të njëjtën kohë, PS-ja po trumbeton edhe zgjedhjen në mënyrë konsensuale të Presidentit të ardhshëm, një çështje për të cilën kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë e dha përgjigjen, duke specifikuar se ajo do të bëhet vetëm në bazë të Kushtetutës. Sipas dokumentit themeltar të shtetit, për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.