E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Opozita të nisë reformën zgjedhore pa kushte

Në fjalën e mbajtur, kreu i kësaj partie, Ilir Meta, theksoi se tashmë kapitulli i zgjedhjeve ka përfunduar, por sipas tij, nxorën në pah rëndësinë e nisjes së një reforme zgjedhore.

Sipas tij, kjo reformë duhet t’i japë zgjidhje dhe qartësi çdo lloj problemi apo shqetësimi që lindi pikërisht nga bërja në mënyrë të nxituar e kodit zgjedhor disa vite më parë.

Meta bëri apel që forcat politike të bashkëpunojnë pa kushte. “Është në dinjitetin e të gjitha forcave politike, sidomos të atyre që flasin për më shumë transparencë, që të bashkëpunojnë pa kushte në një reformë të tillë gjithëpërfshirëse që t’i japë fund një herë e mirë diskriminimit të forcave politike dhe njëkohësisht favorizimit të padrejtë të cilësdo. Sepse kjo është e rëndësishme për të forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë te vota e lirë”, theksoi ai.

Kreu i LSI-së tha se, koha për reformën zgjedhore absolutisht që ka kaluar në kuptimin e nisjes së saj. “Sepse reforma zgjedhore sikurse LSI insistoi duhet të ishte zhvilluar menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2009. Pengesa ka qenë lidershipi i opozitës dhe kjo është për ta ardhur keq. Është e rëndësishme që reforma zgjedhore dhe ndryshimet të cilat kërkohen edhe nga partnerët ndërkombëtarë të mos mbetet përsëri për minutat e fundit, ata që duan forcimin dhe përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve të lira të ndershme dhe evropiane në Shqipëri, duhet të tregojnë vullnetin e tyre për ta nisur që tani reformën zgjedhore dhe pa asnjë kusht”, shtoi ai.

 Sipas Metës, reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera. “Për sa i takon reformës zgjedhore ka një urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër, nuk janë aspak larg. Dhe ne e dimë shumë mirë se si ikën koha dhe në këtë drejtim duhet që ndryshimet në kodin zgjedhor të bëhen në mënyrë të studiuar, transparente, gjithëpërfshirëse e të pjekur pra jo në mënyrë të nxituar”, u shpreh Meta.

Duke folur për ndryshimet kushtetuese, Meta tha se “është pozitiv fakti që pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara, ishin të gabuara, por kjo nuk do të thotë që të gabojmë përsëri me ndryshime të nxituar dhe të gabuara”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-29 15:57
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›