E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Kushtetuta s’ mund të ndryshohet sa herë që ndryshon pozicion politik i një individi

Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshe nga Partia Socialiste, gjykon se ndryshimet kushtetuese nuk janë një domosdoshmëri e momentit. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke folur dje para Komitetit Drejtues Kombëtar ka dalë kundër idesë së hedhur nga Partia Socialiste për të realizuar ndryshime kushtetuese, para sesa të nisë puna për ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo para se të miratohen ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Kuvend. Fillimisht ai ka ironizuar qëndrimin e ri të socialistëve, duke përshëndetur pendesën e tyre për ndryshimet e realizuara në prill të 2008-s. “Është pozitiv fakti që pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara, ishin të gabuara”, - tha Meta në fjalën e tij. Por kjo sipas tij nuk duhet të shërbejë që për të korrigjuar një gabim të mund të kalohet në një gabim të ri. Ndaj ka theksuar kreu i LSI-së nuk është e nevojshme që të nxitohet në këtë drejtim, duke theksuar se ndryshimi i ligjit themeltar të shtetit kërkon kujdes dhe transparencë. “Kjo nuk do të thotë që të gabojmë përsëri me ndryshime të nxituara dhe të gabuara. Sepse Kushtetuta është ligj themeltar i një shteti dhe Kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që ndryshon pozicion politik i një individi apo qoftë edhe i një force politike apo disa të tjerave. Apo qoftë edhe gjithë forcat politike. Kushtetuta është e të gjithë qytetarëve shqiptarë, është bërë me referendum dhe natyrisht çdo proces rishikimi duhet bërë në mënyrë transparente, duhet të ketë kohën e tij dhe nuk duhet të realizohet nën presionet politike të interesave të çastit”, - u shpreh Meta. Më tej ai ka propozuar që më parë puna të nisë me reformën zgjedhore, si një nevojë e evidentuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. “Reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera. Këto janë dy çështje krejt të ndryshme. Sepse përsa i takon reformës zgjedhore ka një urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër, nuk janë aspak larg”, - tha më tej Meta. Më tej ai ka konsideruar si një mundësi edhe thirrjen e Kuvendit në një seancë jashtë radhe brenda muajit gusht për të miratuar të gjitha ato ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash dhe të cilat ndikojnë direkt në reformat integruese të vendit. “Gjatë muajit gusht a ka mundësi që Parlamenti të mos pushojë, por të mblidhet të votojë të gjitha ato ligje të cilat janë gati, të cilat presin të votohen dhe të cilat janë i vetmi kusht që kërkohet në mënyrë që Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat”, - shtoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›