E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetuese, PS rikthehet te Presidenti me 84 vota

Partia Socialiste bën pendesën dhe rikthehet te Kushtetuta e para 2008-s. Të ndërgjegjshëm se ndryshimet e bëra në ligjin themeltar të shtetit në vitin 2008 (për të cilat socialistët dhanë konsensusin e tyre) shkuan në favor të kundërshtarit politik, tashmë socialistët kërkojnë me ngulm që një pjesë e tyre të mund të rikthehen në gjendjen e mëparshme, si e vetmja mundësi për të vendosur kontrollin reciprok të pushteteve në vend dhe për të shmangur përqendrimin e të gjitha pushteteve në një dorë të vetme. Dhe pika nevralgjike që mund të garantojë këtë gjë, sipas socialistëve, është pikërisht zgjedhja e Presidentit të Republikës me tre të pestat e votave, ashtu siç ishte dhe më parë. Për këtë qëllim selia rozë ka nisur përgatitjet për të përgatitur një paketë konkrete propozimesh dhe për të cilën ka programuar që të angazhojë një grup juristësh dhe konstitucionalistësh, të cilët do të punojnë mbi bazën e një plani paraprak propozimesh të vëna në dispozicion nga PS-ja.

Presidenti

Ndonëse shumica e selisë rozë ka nisur pushimet, një pjesë e saj ka vendosur që edhe në këto ditë të nxehta vere të punojnë për të ngritur një grup pune me përfaqësues me emër të fushës së drejtësisë për të përgatitur një paketë propozimesh për ndryshimet kushtetuese. Ndërsa grupi i punës është kontaktuar për këtë mision, selia rozë nga ana tjetër ka përgatitur dhe një draft paraprak propozimesh, i cili do t’u vihet në dispozicion juristëve për t’i orientuar se drejt cilave çështje duhet të përqendrojnë punën e tyre. Paketa për ndryshimet kushtetuese ka në themel atë që opozita e cilëson si garantimin e parimit më të rëndësishëm kushtetues, balancimin dhe ndarjen e pushteteve. Pika e parë nga e cila derivojnë edhe ndryshimet e tjera, është pikërisht ajo që kërkon të rivendosë shumicën e cilësuar me 3/5-at në zgjedhjen e kryetarit të shtetit në Kuvend. Ndërsa tashmë me ndryshimet e 2008-s kreu i shtetit zgjidhet në raundin e fundit me 71 vota, socialistët pretendojnë se në këtë mënyrë nuk sigurohet zgjedhja e kreut të shtetit nëpërmjet një konsensusi të gjerë, çka për ta përbën një nevojë për të patur një garanci për balancimin e pushteteve në vend. Ndaj PS në këtë paketë mësohet se kërkon që Presidenti i Republikës të zgjidhet me 84 vota, çka e bën të domosdoshëm gjetjen e konsensusit mes palëve për zgjedhjen e një presidenti mbi palët. Dhe kjo për PS-në merr një rëndësi të veçantë jo thjesht për vet postin e kreut të shtetit, i cili për ta duhet të jetë konsensual, por më shumë përbën një nevojë për kontrollin e pushteteve të tjera, të cilat zgjidhen me propozim të ekzekutivit, por me pëlqimin e presidentit. Këtu socialistët logjikojnë se zgjedhja e presidentit nëpërmjet konsensusit do të jepte garanci edhe për të gjitha institucionet e tjera, si prokurori, SHISH, KLD, të cilat ose zgjidhen me pëlqimin e presidentit ose drejtohen prej vetë atij. Duke konsideruar se të gjitha institucionet e pavarura janë të zhbalancuara, zgjedhja me konsensus të detyruar e presidentit, siç ka qenë në Kushtetutë para vitit 2008, do të garantojë, sipas socialistëve, që disa prej drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit të jenë produkt i konsensusit dhe jo i imponimit politik.

Propozimet

Por jo vetëm kaq, pasi siç mësohet nga burime pranë PS-së në draftin e punës të përgatitur nga socialistët përfshihen dhe një sërë çështjesh të tjera, të patrajtuara ndonjëherë më parë dhe që kanë të bëjnë kryesisht me çështjen e imunitetit të funksionarëve publikë, nevojën për një ligj organik për Kuvendin dhe Presidentin etj. Sipas kësaj pakete propozimesh nga socialistët konsiderohet si e nevojshme heqja e imunitetit për aktet e korrupsionit, e shoqëruar kjo me pezullim nga të gjitha funksionet publike gjatë kohës së hetimit. Pas këtyre pikave, socialistët janë të gatshëm që të hyjnë dhe debatin për ndryshimin e Kodit, punë e cila sipas tyre duhet të nisë me ndryshimin e formulës së kompozimit të KQZ, për ta kthyer atë në një institucion me përbërje apolitike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›