Berat-Fier/ Kërkohet ndërhyrje për përshpejtimin e procedurave
Vonesat në shpërndarjen e pasaportave të reja biometrike kanë bërë që emigrantët “të pushtojnë” prefekturat në Fier dhe në Berat. Të irrituar nga zvarritjet dhe radhët e gjata, ata kanë kërkuar ndërhyrjen e krerëve të qarqeve për rritjen e numrit të sporteleve të aplikimeve dhe përshpejtimin e procedurave.
Fier
Paraditen e së premtes, afro 100 emigrantë i janë drejtuar Prefekturës së Fierit. Në mënyrë të organizuar ata janë nisur nga sporteli i shpërndarjes së pasaportave në godinën e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier drejt prefekturës. Pasi kanë mundur që “të kalojnë” punonjësen e informacionit të institucionit, ata kanë ngjitur shkallët dhe i janë afruar paradhomës së prefektit Bujar Hasaj. Të irrituar ata i kanë kërkuar që të ndërhyjë për të zgjidhur problemin e vonesave të pasaportave. Zyra e paradhomës së prefektit ka qëndruar e mbyllur me çelës për disa minuta, deri sa kanë ndërhyrë punonjësit e repartit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi.
Zjarrfikësit “i kanë bërë pritë” protestës së emigrantëve, të cilët kërkonin të hynin me forcë te zyra e prefektit. Më pas prefekti Hasaj ka dalë nga zyra dhe është përpjekur t’i qetësojë emigrantët. Ata janë ankuar se kanë aplikuar për pasaportat e reja qysh para Krishtlindjeve dhe ende nuk kanë marrë përgjigje nga zyra e operatorit të shpërndarjes. Pasi ka dëgjuar shqetësimet e tyre, prefekti Bujar Hasaj ka kërkuar që protestuesit të nxjerrin një përfaqësi dhe nëpërmjet tyre të jepet edhe zgjidhja. Deri në orët e mbrëmjes nuk ka mbërritur ndonjë kontingjent pasaportash të reja, ndërkohë që radha e emigrantëve ka qenë e madhe.
Berat
Dhjetëra emigrantë të ardhur nga rrethet Kuçovë e Skrapar, si dhe nga rrethinat e Beratit, kanë takuar dje prefektin e Beratit, Kostandin Lefta, dhe i kanë kërkuar të ndërhyjë në përshpejtimin e procesit të pajisjes me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. Emigrantët i kanë kërkuar prefektit Lefta të kërkojë shtimin e punonjësve në zyrën e vetme të shpërndarjes së pasaportave të prodhuara për këtë qark.
Emigrantët janë shprehur të irrituar se u rrezikohen vendet e tyre të punës nëse nuk marrin në kohë dokumentin e ri. Mësohet se prefekti Lefta menjëherë ka komunikuar me përfaqësues të kompanisë prodhuese për këtë problem, ku dhe i është premtuar se shqetësimi i ngritur do të zgjidhet shpejt.
çdo ditë, mbi 200 persona, kryesisht emigrantë të ardhur pranë familjeve të tyre për festat e fundvitit, qëndrojnë në radhë për orë e orë të tëra, për të tërhequr pasaportat e reja. Por, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit është në shërbim vetëm një punonjëse, që kryen shpërndarjen e tyre, çka e vështirëson punën, duke krijuar radhë të gjata.