Basha u bën rreshtore ministrave: Edhe Ruli i shkon në zyrë për memorandum
Pasi dy ministra të kabinetit Berisha, ai i Drejtësisë, Eduard Halimi, dhe i Punëve Publike, Sokol Olldashi, shkuan në zyrën e kryebashkiakut, Lulzim Basha, dhe nënshkruan një memorandum për dhënien e hipotekave, një tjetër ministër shkon në zyrën e Bashës për një tjetër memorandum. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, nënshkroi një memorandum me Bashën për të kontrolluar çmimet dhe cilësinë e mallrave në tregjet e Tiranës. Lëvizja vjen pasi opozita ka shtuar presionin e saj për të ndikuar tek ulja e çmimeve me anë të uljes së TVSH. Ndërkohë, Basha po vijon të tregojë fuqinë e tij si kryebashkiak, duke i sjellë ministrat në zyrë, për të nënshkruar marrëveshje pa kuptim e pa vlerë, për sa kohë detyrimet për çdo ministri e institucion janë të qarta sa i përket çmimeve dhe kontrollit të cilësisë. Duke tentuar të shfaqet në publik sikur vepron si i pavarur, Basha shtrëngoi pas disa muajsh duart me kryeministrin Sali Berisha.
Basha ka ristrukturuar administratën bashkiake, duke shtuar qindra vende pune. Duke përdorur kontratat e përkohshme, ai po arrin të mbajë një punë militantët e shumtë. Edhe pse po afrojnë 100 ditë në detyrë, e vetmja gjë që ka bërë Basha është ndryshimi i planit të qendrës dhe përfshirja në disa skandale. Më i fundit ishte ai për dhënien e titullit Qytetar Nderi për Emirin e Kuvajtit, në një kohë kur atij i ishte dhënë titulli më parë. Më pas Basha shtoi në listë dhe Emirin e Katarit, të cilit ia çoi titullin në ambasadë, në mënyrë të turpshme.