Liderët e eurozonës arrijnë marrëveshje pas bisedimeve të gjata
Liderët europianë kanë arritur një marrëveshje, e cila është cilësuar si jetësore për të zgjidhur krizën e borxheve.
BBC njofton se pas bisedimeve maratonë në Bruksel, liderët thonë se bankat private që mbajnë borxhin grek kanë pranuar një humbje prej 50 përqind, që korrespondon me 100 miliard euro. Deri në vitin 2020, Athina duhet të shkurtojë borxhin në 120 përqind të PBB. Sot ai është në vlerën 160 përqind.
Bankat gjithashtu duhet të mbledhin më shumë kapital që do i mbrojë ata në rast të problemeve që mund të kenë qeveritë në të ardhmen.
Marrëveshja synon të parandalojë krizën që të përhapet në ekonomi më të mëdha të eurozonës si Italia, por liderët thonë se duhet bërë akoma shumë punë. Berluskoni është zotuar për të ulur malin e borxheve për vendin e tij. Italia do jetë nën presion për të realizuar këto kushte. Në Kushtetutë pritet të futet kufizimi i borxheve deri në mes të vitit 2012. Deri në vitin 2014, borxhi duhet ulur në 113 përqind të PBB nga 120 që është tani.
Gjithashtu u aprovua një mekanizëm për të zgjeruar ombrellën e shpëtimit të eurozonës në rreth 1 trilion euro.
Gazetari i BBC, Robert Peston thotë se është e qartë se liderët e BE blenë kohë. Tregjet reaguan menjëherë në mënyrë pozitive.
Kryeministri grek,Papandreu, tha se një ditë e re ka ardhur për Greqinë dhe Europën.