E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha vendeve anëtare: “Ratifikoni protokollin me Shqipërinë”

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, me ftesë të sekretares Amerikane të Shtetit, Kondoleza Rajs, mori pjesë në drekën transatlantike. Në këtë drekë ishin të pranishëm ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura u diskutuan çështje të aktualitetit gjeostrategjik dhe të sigurisë. Gjatë kësaj dreke ministri Basha shfrytëzoi rastin për t u kërkuar homologëve të tij përmbylljen e shpejtë të ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Kjo është hera e parë që Shqipëria dhe Kroacia ftohen për të marrë pjesë në Takimin Transatlantik që mbahet çdo vit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut ku të pranishëm ishin ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Daniel Fried, dhe ministrat e Jashtëm të Kroacisë dhe Maqedonisë. Gjatë takimit, Fried përgëzoi Shqipërinë dhe Kroacinë për suksesin e arritur me marrjen e ftesës dhe nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit në NATO dhe shprehu mbështetjen e plotë të administratës amerikane dhe presidentit Bush për përmbylljen sa më shpejt të ratifikimit të këtyre protokolleve me qëllim anëtarësimin e plotë të dy vendeve tona para Samitit të Strasburgut në prill 2009. Në takim u ritheksua mbështetja edhe për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë. Në këtë kuadër, ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Daniel Fried, shprehu bindjen për veprimin e menjëhershëm të Senatit Amerikan për ratifikimin e protokolleve nga SHBA. Vendet e Kartës së Adriatikut në këtë takim morën vendimin të ftojnë Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi për t iu bashkangjitur Kartës. Ky vendim reflekton besimin e palëkundur se zgjerimi i Kartës së Adriatikut do të forcojë më tej bashkëpunimin shumëpalësh dhe rajonal dhe do të avancojë integrimin euroatlantik.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›