E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: “Shqipëria hyn në NATO”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Senati i SHBA ka aprovuar protokollin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë në NATO. Miratimi i protokollit të anëtarësimit u bë dje. Numri i dokumentit, sikurse bëhet e ditur në faqen zyrtare të Senatit të SHBA është 110-20. Protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO i kaloi për aprovim Senatit të SHBA në datën 23 korrik, 2008. Ky protokoll u adaptua në Bruksel në datën 9 korrik 2008. Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë, ishte parashikuar që ftesën për anëtarësim në NATO ta merrte edhe Maqedonia. Për shkak të problemeve me Greqinë për çështjen e emrit, Maqedonia nuk arriti të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Nënshkrimi i Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO i hap rrugë ratifikimit të këtyre protokolleve nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Deri tani parlamentet e disa shteteve kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO dhe nënshkrimi pritet të përfundojë para samitit të ardhshëm në pranverë të vitit 2009.
Qeveria shqiptare i shpreh mirënjohje Senatit
Kryeministri Berisha falënderoi Senatin e SHBA për ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO. Kryeministri, nëpërmjet një konference të shkurtër për shtyp, falënderoi Senatin e SHBA për nënshkrimin e Protokollit. Ai e cilësoi ditën “historike”, kurse Presidentin e SHBA, “mikun më të madh të Shqipërisë”. “Mirënjohje mikut më të madh të shqiptareve, presidentit Bush, qeverisë së tij, Departamentit Amerikan të Shtetit, Pentagonit, gjithë anëtarëve të tjerë të Senatit amerikan. Kreu i qeverisë tha: “Dita e djeshme shënon një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, në procesin e tyre të integrimit në NATO, si dhe në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dje, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi lider i Aleancës së Atlantikut të Veriut, votoi dhe ratifikoi me unanimitet të plotë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ky votim u bë me rekomandimin personal të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Ë. Bush, dhe vetëm dy ditë pasi Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara votoi në unanimitet të plotë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Votimi në Senatin e SHBA është një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për kombin tonë, kjo sepse anëtarësimi në NATO është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe se presidenti Bush, qeveria e tij, Senati i Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e tyre të fuqishme, bënë që Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë të votohet dhe ratifikohet nga vendi i tyre, lider i NATO-s, me një shpejtësi rekord, në një hark kohor rekord, po të kemi parasysh që firma në këtë protokoll, në Bruksel, është vendosur vetëm në datën 9 korrik, po të kemi parasysh se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu në kulmin e garës elektorale, jo vetëm presidenciale, por edhe për Kongresin Amerikan. Në këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare, dua t i shpreh mirënjohjen më të thellë presidentit Xhorxh Ë. Bush, mikut më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, qeverisë së tij, Departamentit të Shtetit, Pentagonit, Komisionit të Jashtëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve të shquar të kombit shqiptar në këtë komision, dhe ambasadorit dhe ambasadës së SHBA në Tiranë, ambasadorit dhe ambasadës së SHBA në Bruksel, për mbështetjen e madhe, përmes së cilës po shndërrohet në realitet ëndrra euroatlantike e kombit dhe vendit tonë. Shfrytëzoj rastin të shpreh falënderimin tim më të madh për qeverinë e Hungarisë, parlamentin hungarez, qeverinë e Letonisë, parlamentin letonez, Komisionin e Jashtëm të Bundestagut dhe një sërë vendesh, të cilat kanë ndërmarrë këtë proces, në mënyrë që samiti i ardhshëm i Aleancës, pranvera e ardhshme, të jetë pranvera e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Faleminderit!”

Ambasada Amerikane: Votim historik i Senatit të SHBA për Shqipërinë

Nënshkrimi i protokollit të anëtarësimit në NATO nga Senati Amerikan është përshëndetur dje edhe nga ambasada amerikane në Shqipëri, e cila nëpërmjet një komunikate për shtyp është shprehur: “Dita e djeshme shënoi një çast historik në marrëdhëniet ShBA-Shqipëri: Senati i ShBA votoi miratimin për Protokollet e Hyrjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë të Traktatit të Uashingtonit. Si një prej vendeve të para që votuan për këtë dokument të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi të mirëpresin Shqipërinë si një partnere të plotë në NATO. Ky akt i Senatit ka domethënie të jashtëzakonshme. Ai përfaqëson jo vetëm një votë besimi në një prej partnerëve më të palëkundur të Amerikës, por edhe një njohje të sinqertë të vendosmërisë së qeverisë, opozitës dhe, mbi të gjitha, popullit shqiptar, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm. Kombi shqiptar ndërmori një program madhor reformash për ta përmbushur këtë synim. Megjithatë, shumë reforma mbeten për t u përfunduar dhe filluar. Ne, populli amerikan, presim me kënaqësi të punojmë me shqiptarët për të përfunduar, siç e ka thënë presidenti Linkoln, “një detyrë të filluar kaq fisnikërisht.” Përkushtimi amerikan ndaj Shqipërisë, demonstruar aq qartë në votën e djeshme, mbetet i fortë dhe shikon nga e ardhmja”.

Shqipëria për herë të parë në Takimin Transatlantik në OKB

Ky lajm është publikuar: 27/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›