Basha:Tolerancë zero ndaj ndërtimeve pa leje, jo legalizim
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka paralajmëruar tolerancë zero ndaj ndërtimeve pa leje ndërsa ka shtuar se nuk do të ketë asnjë lloj procesi legalizimi për to.
Duke folur në një tryezë për decentralizimin, Basha kërkoi nga inspektoriati ndërtimor identifikimin e ndërtimeve pa leje dhe më pas prishjen e tyre.
“Është detyra juaj e parë të veproni në mënyrë energjike për të identifikaur çdo proces shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje. Që nga marrja e masave administrative siç janë gjobat e deri tek prishja e këtyre objekteve. Nuk do të ketë asnjë lloj procesi legaliizmi për këto ndërtimet dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët u shpreh Basha.
Basha u shpreh gjithashtu se pranë çdo njësie do të ngrihet një grup pune që do të bëjë të mundur kontrollin e territorit.
“Decentralizimi është një instrument në shërbim të qytetarëve I cili jep efekte pozitive sa herë që është bërë në mënyrë reale. Pranë çdo njësie do të ngrihet një grup pune e përbërë nga inspektorë dhe policë bashkiak, që do kontaktojë me kreun e njësisë dhe do të bëjë kontrollin e territorit. Drejtorët dhe inspektorët e njësive do të jenë në kontakt me krerët e minibashkive për kontrollin e territorit. Do të jem i përkushtuar që kjo mënyrë veprimi të funksionojë dhe të japë rezultate sa më pozitive. Decentralizimi është i suksesshëm vetëm kur kontrollohet çdo hap apo çdo kompetencë. Nuk ka vend për asnjë lëshim në raport me ligjin, nga ana e grupeve që do kontrollojnë territorin shtoi Basha.