Bashar AL-Asadi i prirur për dhunë, jo për dialog
Në fund të muajit mars ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara bindi liderin sirian, Bashar Al-Asad, për të rënë dakord me një plan të ndjeshëm për ndalimin e vrasjeve në Siri dhe fillimin e një procesi të mirëfilltë dialogu. Fatkeqësisht, ky plan nuk ka gjasa të rezultojë i suksesshëm ngase regjimi sirian nuk është thellësisht i interesuar për dialog me opozitën politike të vendit. Në vend të dialogut, regjimi kërkon ta zhdukë brutalisht këtë opozitë. Për fat të keq, një strategji e tillë mund të jetë efektive nëse qeveria është plotësisht e gatshme të jetë gjithaq e dhunshme sa ç’ka qenë Presidenti Bashar Al-Asad. Në këtë kontekst, për mua është e paqartë nëse një plan i tillë si i Kofi Ananit mund të funksionojë përveç faktit nëse ka disa muskuj prapa. Por, ka një kufi në atë çka njerëzit nga jashtë mund të bëjnë për Sirinë. Siria nuk është Libi, ku opozita që në gjendje të fitojë kontroll gjeografik mbi pjesë të sigurta të vendit, përfshi edhe qytetin kyç të Bengazit. Libia kishte një ndarje lindje-perëndim gjë e cila i lejoi opozitës të bashkohej dhe të furnizohej me armë nëpërmjet Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Asnjë prej këtyre faktorëve nuk vihet në jetë në Siri. Opozita siriane nuk ka qenë e aftë të krijojë një bastion gjeografik dhe si pasojë është e vështirë ta furnizosh këtë opozitë. Në këtë kontekst, është e vështirë të shikosh se prej nga mund të vijnë këto muskuj të nevojshëm për të detyruar dialogun. Rusia, e cila ka influencë të madhe në Siri, nuk ka gjasa të ushtrojë ndonjë lloj presioni të vërtet mbi këtë vend. Moska duket se e sheh Damaskun si aleatin e saj të fundit në Lindjen e Mesme. Përgjatë Luftës së Ftohtë, Rusia kishte një grup aleatësh në rajon. Lindja e Mesme ishte ndarë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Pas Luftës së Ftoftë, kjo strukturë aleancash u prish. Shumica e aleatëve të Bashkimit Sovjetik lanë sferën ruse të influencës. Rusët kanë mbetur me Sirinë, kështu që ata janë tepër ngurrues të heqin dorë nga ajo. Amerika nuk ka shumë leva mbi qeverinë siriane, nëpërmjet detyrimit apo çfarëdolloj gjëje tjetër. Kështu që pa presionin rus, është e vështirë të shohim tek funksionon diplomacia e Kofi Ananit. Plani i Ananit është shumë dashamirës. Vetë Anani është një burrë shumë inteligjent. Por, përfundimisht ju nuk mund ta vini në funksion këtë lloj diplomacie pa një kërcënim të besueshëm force. Dhe unë nuk shikoj gjëkundi një kërcënim force të besueshëm. Si pasojë mendoj që realiteti në Siri është se do të ketë kryengritje të dobët. Qeveria me shumë mundësi nuk do të jetë në gjendja ta shtypë opozitën në tërësi. Por me ç’duket ka pak gjasa që kryengritja të fitojë shumë terren. Fakti i vetëm që mund ta ndryshojë këtë dinamikë është se Siria nuk është një shtet i pasur me naftë si Irani. Në arkat e Sirisë nuk derdhen shuma të mëdha parash çdo vit. Ajo po mbështetet nga Rusia dhe Irani. Nuk e dimë shtrirjen e kësaj mbështetjeje, por paramendohet se qeveria siriane do të ngelë pa para përfundimisht. Paraja i ka bërë të mundur Bashar Al-Asadit që të mbajë në anën e tij ushtrinë siriane dhe aparatin e inteligjencës. Po ashtu, paraja e ka ndihmuar që të parandalojë kalimin në krahun kundërshtar të disa elementëve thelbësorë të elitës suni. Nëse rrjedha e parave për në Siri kthehet në pikërrim, mund të bëheni dëshmitarë të dezertimit të shumë prej këtyre grupeve kyçe. Kjo mund të jetë një shenjë që burracakët po e lënë anijen që po mbytet.
...