Zonja e hekurt kundër zonjave të zeza
“Zonja e hekurt” ishte një epitet i gjetur mjeshtërisht për të sinjalizuar dinamizmin konservator të Margaret Theçer, kryeministre e Britanisë së Madhe, nga viti 1979 deri në 1990; e para dhe e vetmja femër deri më sot që ka mbajtur postin e kryeministres së Anglisë. Zakonisht kryeministrat mbahen mend për çfarë mendojnë dhe u mësojnë të tjerëve nëpërmjet veprimtarisë së tyre publike dhe ndonjëherë private, zonja Theçer do të mbahet mend për ndikimin që ka pasur në një gjeneratë anglezësh. Forca e saj e vrullshme vinte mbi të gjitha nga vullneti i hekurt dhe papërkulshmëria e saj ndaj situatave nga më të pazakontat, siç ishte për shembull greva e urisë e disa anëtarëve të IRA-s për të marrë statusin e të burgosurit politik që u kish hequr qeveria e mëparshme; Margaret Theçer nuk u përkul ndaj kësaj kërkese dhe 10 grevistë vdiqën nga uria, i pari prej tyre Boby Sands. Zonja e hekurt nuk u përkul as ndaj juntës ushtarake Argjentinase që pushtoi në 1980 ishujt Folkland, territor britanik, dhe dërgoi një taske-forcë detare për të rimarrë ishujt, çka ndodhi pak javë më pas. Kjo fitore favorizoi një valë patriotizmi në Britani dhe padyshim fitoren Partisë Konservatore për herë të dytë, 1983. Në mandatin e dytë znj. Margaret Theçer mbrojti papërkulshmërinë dhe vendosmërinë e saj për të luftuar kundër pushtetit të sindikatave. Një betejë që u luftua dhe u fitua me të gjitha armët ligjore nga ana e kryeministres britanike. Në politikën e jashtme pati një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me presidentin e SHBA-ve, Ronald Regan. Sinkronizimi i politikës së tyre të jashtme në një botë bipolare bëri të mundur vendosjen në një cep të ringut botëror Bashkimin Sovjetik, i cili implodoi jo vetëm nga varfëria materiale, por dhe ideve. Ndërsa për Bashkimin Europian ajo kish një mendim totalisht të kundërt me shumë liderë të kontinentit europian. Mbahet mend kancelari gjerman Helmut Kol, i cili iu përgjigj pyetjes sesi ishin marrëdhënien me znj. Theçer, ai tha: “ajo më bën me dhimbje koke”. Për 11 vjet qeverisje Zonja e hekurt ia doli të ulte papunësinë, të zhvillonte sa më shumë ekonominë dhe ta rikthente Britani ndër fuqitë ekonomike të para të botës bashkë SHBA-të dhe Japoninë. Trashëgimia e saj politike e njohur si “theçerizmi” ka pasur një rol vendimtar për rikthimin e fuqishëm të rolit të Britanisë së Madhe në skenën botërore.
Mirëpo ndërsa Margaret Theçer qeveriste në Britani me një dorë të hekurt për të liberalizuar ekonominë dhe shoqërinë nga kthetrat e sindikatave, në Shqipëri një zonjë tjetër qeveriste në prapaskenë jo vetëm me dorë të hekurt por dhe me “zjarr” për të farkëtuar marksizëm-leninizmin. E kam fjalën për Zonjën e zezë, Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit Hoxha, e cila drejtonte me zell Institutin e Marksizëm-Leninizmin, që prodhoi gjithë propagandën e zezë të regjimit që shpërlau trutë e një gjenerate dhe korri filizat e mendimit jo konform regjimit. Zonja e zezë udhërrëfyesja e krimeve të diktatorit Enver Hoxha përdhos edhe sot e kësaj dite ish-të përndjekurit politik, duke i quajtur kulakë apo “apo vjedhës lope”, kur lopa ishte “vjedhur me ligj” nga kooperativën komuniste.
Megjithatë si Margaret Theçer, zonja e hekurt, po ashtu dhe Nexhmije Hoxha, zonja e zezë, janë gjallë por e dyta bën më shumë zhurmë se e para, sepse perëndia e ka dënuar të dëgjojë arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërinë në dy dekada pas komunizmit. Zonja e zezë zhurmon prodhimin qytetarëve në liri dhe demokraci sepse ajo i përket një specie vegjetative autoreferenciale. Helmi i gjuhës së saj të bigëzuar është i padëmshëm për moralin publik. Me siguri do të jetë ndjerë jo mirë kur ka marrë vesh se një shkolle në Cërrik iu vu emri i Drita Çomos. Drita Çomo e bija e Liri Belishovës ishte, sipas Kadaresë, “një nga letraret më interesante të brezit të vet”, por pak e njohur gjatë komunizmit për shkak se prindërit i kish të “demaskuar”, pra, babai në burg dhe nënën në internim. Kjo letrare e re e pati jetën të shkurtër për shkak të një sëmundje të keqe, por fatkeqësia e saj më e madhe ishte të mos kish prindin në momentin e dhënies shpirt, pasi Nexhmija ishte investuar të ndalonte përcjelljen e saj nga duart e nënës.
***
Aneksi i ditëve të sotme/ Një polemikë e madhe politike është ndezur javët e fundit, për shkak të mandatit të ish-deputetes Rudina Seseri, e cila braktisi Partinë Socialiste për një jetë më të mirë në Amerikë. Zëvendësimi i vendit vakant parashikon një procedurë jo fare të thjeshtë pasi paraprakisht personi në listë, Gjon Bardhi, që duhet të merrte vendin i është sugjeruar të refuzojë për t’ia lenë postin një anonimi, që të vetmen meritë politike ka futjen një listë një ditë pranvere të 2009. Në çdo vend normal të botës dëshira për të qenë pjesëtarë të vendimmarrjes më të madhe kolegjiale të një Shteti është maksimumi i aspiratës politike çdo anëtari partie, meqenëse, jemi në Shqipëri dhe kemi një lider opozite jo politikan rrjedhoja është se dhe deputetët janë klone të “komandantit” jo-politikan. Kuptuan se Rudina Seseri është paqejf, edhe Gjon Bardhi është pa qejf, sikurse Edi Rama është paqejf sepse kërkon me padurim një deputete, ndonëse numerikisht është vështirë se përbën ndonjë hata të madhe. Për konsum të përditshëm politik Edi Rama sulmoi fort Kryetaren e hekurt të Parlamentit, znj. Jozefina Topalli, se “po mban në sirtar mandatin”. Ndërsa znj. Topalli që nuk ia përton askujt, iu përgjigj, si ma do: “Rama po fshihet në kuti, çadër apo kafaz. Por, më parë ai duhet t’u tregojë shqiptarëve se kush e solli Seserin në kuvend, pse ajo nuk erdhi as tre ditë. Seseri është rasti i degradimit të partisë së miliarderëve me kryetar fukara”. Pa përfunduar deklarata e zonjës Topalli, në mbrojtje të nderit të Rudina Seserit, Rama nxori çapkënkën Olta Xhaçka, një zonjushë e zezë në kohët e largëta të firmave piramidale të Gjallicës. Xhaçka ndryshe nga Seseri ka vendosur të jetë pushka e kryetarit që qëllon me breshëri bashkëtingëlloresh pa zanore përqark Parlamentin.
...