E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sugjerimet e grupeve të interesit do të përshtaten në vendime, që përmirësojnë klimën e biznesit”

11-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha, mbledh Task Forcën Rregullatore, për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit

Kryeministri Sali Berisha, pas takimit të zgjeruar konsultativ që zhvilloi ditë më parë, me përfaqësues të biznesit thirri dje mbledhjen e Task Force-s Rregullatore, për të rishqyrtuar hapat e rinj që pritet të vihen në zbatim për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë, në të 11 treguesit e saj, nën fokusin e mendimeve dhe sugjerimeve të shprehura nga biznesi.

Kryeministri Berisha, duke i vlerësuar mendimet e sugjerime e shprehura në këtë takim, qartësisht të rëndësishme e të vlefshme për një klimë më të mirë të veprimtarisë së biznesit në Shqipëri, theksoi se, "kjo e bën të domosdoshme rishikimin në mënyrë përfundimtare të reformës për klimën e biznesit në të 11 kolonat e saj". 

"Në kërkesat e biznesit kërkohet një thjeshtim i burokracive, rritje e mëtejshme të transparencës së procedurave. Mendime pro e kundër u dhanë lidhur me çmimet e referencës, si dhe pati mendime për sa i përket përmirësimit të mëtejshëm të sistemit fiskal, evitimit të parapagimit në rastet më të mundshme, heqjen e TVSH-së për makineritë, eliminimi i çdo lloj barriere dhe reference në tregtinë me Kosovën, thjeshtimin e procedurave për mbylljen e biznesit dhe një seri mendimesh të tjera, të cilat i gjykoj të dobishme", tha kryeministri Berisha. 

Kryeministri Berisha vlerësoi të drejtë, gjithashtu, propozimin e dalë nga tryeza me biznesin për funksionimin e përbashkët të Këshillit të Biznesit dhe Këshillit të Punës, si Këshilli Kombëtar i Biznesit dhe Çështjeve Sociale.

"Unë e gjej këtë një propozim shumë të drejtë, sepse tregu i punës, fleksibiliteti e standardi i tij janë të pashkëputura nga klima e biznesit. Ndaj t’i marrim edhe një herë me radhë e t’i shqyrtojmë një nga një kolonat, duke u përpjekur në ambicien më të mirë, për të kapur standardet më të mira, që ekzistojnë në këtë aspekt", u shpreh kreu i qeverisë . 

Pas diskutimit një për një të të gjithë treguesve që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit, zvogëlimin e burokracisë dhe rritjen e transparencës, të gjitha institucioneve iu përcaktuan detyra e objektiva të reja, gjithmonë në drejtim të lehtësimit të të bërit biznes.

Ndër vendimet e rëndësishme në lidhje me thellimin e reformave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, Task Force konsideroi sugjerimet dhe kërkesat e bëra nga biznesi, në takimin e gjerë që ky i fundit pati me Kryeministrin, një javë më parë. 

Në vendimet kryesore të kësaj Task Force është heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit si dhe krijimi i një Këshilli të vetëm Kombëtar të Biznesit dhe Punës që zëvendëson Këshillin Kombëtar të Biznesit dhe Këshillin Kombëtar të Punës. Ky propozim i biznesit u gjet i drejtë dhe i përshtatshëm për momentin aktual të zhvillimit të ekonomisë dhe për të lehtësuar dhe bërë më fleksibël e transparent dialogimin midis biznesit, institucioneve shtetërore dhe palëve të tjera të interesuara. 

Një Këshill i tillë është i domosdoshëm, për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu më modern e fleksibël të punës. Një vendim tjetër i kësaj Task Force është rritja e transparencës e prokurimeve publike, siç u kërkua edhe nga biznesi gjatë takimit me Kryeministrin. Task Forca vendosi që të publikohen, krahas informacionit mbi garuesit, ofertat etj., edhe lista e kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe që kanë fituar, çdo gjashtë muaj, gjithashtu, Komisioni i shqyrtimit të ankesave të publikojë në ëeb edhe mendimin e pakicës në marrjen e vendimit. 

Në përfundim të takimit, Kryeministri theksoi se, "kjo Task Force përfaqëson një përpjekje të re, për të krijuar një klimë më të mirë biznesi, sepse ekonomia shqiptare ka një dinamizëm që duhet përshtatur me ekonominë globale. Burokracia është armiku i këtij zhvillimi, prandaj duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që tentakulat e saj të mos pengojnë biznesin".

Qeveria, tha Kryeministri, me vendosmëri do të vazhdojë këtë punë dhe do të mbajë lart frymën e shërbimit ndaj biznesit me cilësi, transparencë dhe thjeshtësi.

Një javë më parë, Kryeministri Berisha nisi takimet me përfaqësues të biznesit, me qëllim parashtrimin dhe konsultimin me biznesin të një pakete të re reformash, për ta bërë më kompetitive ekonominë shqiptare. Ky ishte takimi i parë, që, siç theksoi Kryeministri, do të vazhdojnë me takime të tjera konsultimesh e dialogu konstant të qeverisë me përfaqësuesit e biznesit, sipas fushave të zhvillimit.

Vendimet e djeshme të Task Force-s Rregullatore

1. Heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit; 

2. Krijimi i një Këshilli të vetëm Kombëtar të Biznesit dhe Punës që zëvendëson Këshillin Kombëtar të Biznesit dhe Këshillin Kombëtar të Punës. Ky propozim i biznesit u gjet i drejtë dhe i përshtatshëm për momentin aktual të zhvillimit të ekonomisë dhe për të lehtësuar dhe bërë më fleksibël e transparent dialogimin midis biznesit, institucioneve shtetërore dhe palëve të tjera të interesuara. Një Këshill i tillë është i domosdoshëm, për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu më modern e fleksibël të punës; 

3. Për të rritur më tepër transparencën e prokurimeve publike, siç u kërkua edhe nga biznesi gjatë takimit me Kryeministrin, u vendos që të publikohen, krahas informacionin mbi garuesit, ofertat etj., edhe lista e kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe që kanë fituar, çdo gjashtë muaj. Gjithashtu, Komisioni i shqyrtimit të ankesave të publikojë në ëeb edhe mendimin e pakicës në marrjen e vendimit. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›