Nazad!
Biznesmenët e Serbisë janë të shqetësuar me vendimin e qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit. Humbjet e tyre kanë filluar. Dhjetëra kamionë me prodhime serbe u kthyen gjatë ditës së enjte në pikën kufitare të Merdarit. Të shqetësuar janë edhe biznesmenët kosovarë.
Shumë kamionë me mallra serbe kanë mbetur të bllokuar në të gjitha pikat kufitare me Serbinë. Ata thonë se tani nuk po u lejohet kthimi prapa për në Serbi, duke mbetur kështu të ngujuar në zonën neutrale mes kufirit shtetëror Kosovë - Serbi. Arsyeja e kësaj bllokade, sipas tyre, është se ata tani janë pajisur me vulat për qarkullim në tregun kosovar dhe shteti i tyre tani nuk lejon kthimin mbrapa. Por, me vendimin e Qeverisë së Kosovës për bllokadën e produkteve serbe, nuk lejohet që asnjë mall i këtij shteti të kalojë kufirin e Kosovës.
Importuesit serbë kërkojnë të merret një vendim tjetër, që të paktën kamionëve të bllokuar t`u lejohet qarkullimi në tregun kosovar.
Njëri nga importuesit serbë tregon për Express se qysh nga dita e djeshme ka mbetur i bllokuar në pikën kufitare të Merdarit.
Vendimi i Qeverisë për këtë bllokadë, sipas tij, është më shumë çështje politike.
Tregu kosovar ka qenë i vetmi ku ai ka arritur të shesë produktet e tij.
“Unë në këtë treg kam shitur blloka dhe zall, dhe çdo ditë kam qarkulluar shumë lehtë në tregun kosovar pa asnjë problem deri më tash”, thotë ai.
Për bllokadën tha se s`kanë qenë të informuar. “Është dashur të na lajmërojnë më herët se po duan të na i bllokojnë mallrat,e jo tash të mbetemi këtu duke pritur se çka do të bëhet me ne”.
Pasojat, thotë ai, janë shumë të mëdha, si për kamionët që rrinë më gjithë atë ngarkesë në rrugë, si për biznesin e tyre. “Humbja e tregut kosovar na sjell humbje të mëdha, që arrijnë një vlerë shumë të madhe”, tha ai.
Në gjithë atë kolonë të importuesve serbë kishte edhe kosovarë. Fatmir Behluli, i cili transportonte zall dhe miell, tregon për gazetën se vendimi për embargon e mallrave nuk është pritur mirë nga komuniteti i biznesit.
“Nuk është pritur mirë shkaku se ne nuk kemi qenë të informuar më herët për këtë vendim”, thotë Behluli.
Ai thotë se tani do të shikojnë gjetjen e tregjeve tjera për të blerë këto mallra. Sipas tij, nuk do të jetë problem i madh mungesa e produkteve serbe, pasi që ato mund t’i gjejnë në tregjet tjera të rajonit ose Evropës.
Lulzim Ramadani, shef i Degës doganore të Podujevës, tregon se nuk kanë ndërmend që asnjë nga kamionët e bllokuar t’i lejojnë të hyjnë në territorin e Kosovës.
“Derisa vendimi është në fuqi, nuk do ta lejojmë asnjë nga kamionët të futet në territorin Kosovës. Jemi të vendosur të zbatojmë vendimin e Qeverisë”, thotë Ramadani.
Deri në orën 11 të paradites, nga të gjitha pikat kufitare me Serbinë janë kthyer me dhjetëra kamionë serbë.
Gjatë kësaj dite janë futur vetëm katër kamionë me mallra të Gjermanisë e Bullgarisë.
“Numri i importuesve nuk ka qenë edhe aq i madh, pasi disa prej tyre janë njoftuar për këtë vendim dhe nuk janë nisur fare”, tregon Ramadani.
Derisa nuk ishte në fuqi ky vendim, doganierët tregojnë se mbi 90 kamionë me mallra serbe janë futur çdo ditë në pikën kufitare në Merdar.
Vetëm një ditë pas vendimit për shtyrjen e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Mallrat që vijnë nga Serbia do të bllokohen totalisht, pasi, siç specifikohet në vendimin e marrë dje, Kosova nuk i njeh vulat e Doganave të Serbisë, ndërkaq për mallrat që vijnë nga Bosnja është vendosur një taksë doganore prej 10 për qind.