Bashkë për kulturën e trashëgiminë
Gjatë një takimi të mbajtur të mërkurën, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri kosovar i Kulturës, Memli Krasniqi ka bashkëbiseduar me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan. Temë bisede ishte realizimi i projekteve të përbashkëta në kulturë dhe trashëgimi kulturore.
Lidhur me bashkëpunimin kulturor, u bisedua ne veçanti për organizmin e “Javës së Filmit Turk”, por edhe për mundësinë e organizmit të një jazz festivali, nga fundi i këtij muaji.
Dy zyrtarët folën edhe për realizimin e dy projekteve në lëmin e trashëgimisë kulturore, që pritet të implementohen nga Agjencia Turke për Zhvillim e Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA). Bëhet fjalë për restaurimin e Tyrbes së Bajraktarëve dhe Xhamisë së Jashar Pashës (në Prishtinë), për ç’gjë vitin e kaluar u nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi.
Përveçqë njoftimit të ambasadores turke me të arriturat e shënuara vitin e kaluar dhe me prioritetet për këtë vit, ministri Krasniqi ka nënvizuar edhe bashkëpunimin mjaft të mirë mes dy shteteve në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, derisa ka shfaqur dëshirën për një thellim të mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi.
Nga ana e saj, ambasadorja Ozan ka theksuar nevojën për një rritje të vazhdueshme të bashkëpunimit në këto dy fusha, po ehe ka përkujtuar se Turqia është një shtet mik i Kosovës. Ky, sipas saj, është një element me rëndësi që Turqia të vazhdojë të japë kontributin e saj në zhvillimin e shoqërisë së Kosovës.