Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të memorialit të izolimit komunist “POSTBLLOK”

Karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi, vendosur në hyrje të ish Bllokut në Tiranë, është se të tre objektet janë autentikë dhe vijnë në formë “artifakti” që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe. Objektet janë një bunker, një copë e vogël nga Muri i Berlinit dhe një organizim shtyllash betoni të marra nga miniera e kampit famëkeq të Spaçit. Ky objekt është konceptuar në mënyrë të atillë që vizitori jo vetëm ta vështrojë instilacionin nga jashtë, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tre objektet.
Kryeministri Berisha, në fjalën e tij përshëndetëse, shprehu falënderime për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij memoriali, një instalacion me simbolikë jashtëzakonisht të fuqishme. “Kjo është një ditë nderimi të madh për ata qindra e mijëra shqiptarë, të cilët në mbrojte të dinjitetit të tyre njerëzor pranuan të sakrifikojnë, pranuan të burgosen, pranuan të ecin dhe drejt skuadrave të pushkatimit, por të mos dorëzojnë ato çka ata i besonin më të çmuarat për njeriun, dinjitetin e tij, besimin tek liria, besimin te Shqipëria, besimin te Zoti dhe fjala e lirë”, u shpreh Kryeministri.
Më pas, Kryeministri Berisha së bashku me ambasadoren Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, znj. Carola Müller-Holtkemper zbuluan pllakën e memorialit dhe e vizituan më nga afër atë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zonja kryetare e Parlamentit,
Zoti kryetar i Bashkisë
Zotërinj ministra,
Zonja ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, znj. Carola Müller-Holtkemper ,
Zonja Anna Kaminsky,
Zoti Lubonja dhe zoti Isufi,
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Jemi sot në inaugurimin e një instalacioni në kujtesë të vuajtjes, martirizimit të shqiptarëve nën diktaturën totalitare. Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj zonjës Kaminsky, Institutit që ajo drejton, ndaj ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, znj.Carola Müller-Holtkemper dhe qeverisë së saj, për këtë dhuratë simbolike që u bënë të gjithë shqiptarëve.
Dua të falënderoj përzemërsisht bashkinë e Tiranës dhe, në mënyrë të veçantë, artistët, si edhe të gjithë ata që punuan dhe ideuan këtë instalacion në një vend të vogël, por me një simbolikë shumë të madhe dhe shumë të fuqishme.
Zonja dhe zotërinj,
Miqtë gjermanë kanë sjellë këtu një copëz të Murit të Berlinit, një mur që në fakt në beton ishte derdhur në disa qindra kilometra në kryeqytetin e sotëm të Republikës Federale Gjermane, por në të vërtetë me tela me gjemba, me hekur dhe beton, ky mur shtrihej nga kanali i Korfuzit, në ngushticën e Beringut. Natyrisht, Muri i Berlinit ndante botën e lirë nga Evropa tjetër, e cila vuante nën regjimet totalitare. Shembja e këtij muri përbën një nga ngjarjet më të mëdha të lirisë në të gjithë historinë e njerëzimit. Ndaj edhe është një nderim i madh që ne i bëjmë sot guximit, trimërisë, vendosmërisë së qytetareve gjermanë, që si luanë të vërtetë u hodhën mbi murin dhe e rrafshuan atë njëherë e përgjithmonë. Artistët kanë përzgjedhur këtu, në mënyrën më të qëlluar, simbolet më të goditura. Në Tiranë nuk kishte mur, por kishte klone, tela me gjemba.
Në Tiranë dhe në Shqipëri kishte edhe diçka tjetër që nuk ekzistoi në këtë shkallë në asnjë nga vendet ish komuniste dhe kjo diçka tjetër ishte bunkeri. Shqipëria, në tragjedinë e saj, shndërroi pothuajse të gjitha pasuritë që krijonte në qindra e mijëra bunkerë, të cilët po t’i kthesh në blloqe të Piramidave, ndoshta do të ndërtonin dy herë piramidat e Faraonëve. Ky ishte njëri aspekt i tmerrshëm i bunkerit dhe bunkerizimit. Aspekti tjetër, tmerrësisht tragjik, ishte uria kronike, në të cilën kombi u zhyt në bunkerin e tij. Regjimi i Enver Hoxhës, në dallim nga regjime të tjera diktatoriale, me vdekje të butë, me uri, u rezervoi fat tragjik qindra e mijëra shqiptarëve.
Artistët kanë përzgjedhur për memorien kombëtare Spaçin, një nga simbolet, burgjet, kampet më të egra të të gjithë botës ish komuniste. Kjo është një ditë nderimi të madh për ata qindra e mijëra shqiptarë, të cilët në mbrojte të dinjitetit të tyre njerëzor pranuan të sakrifikojnë, pranuan të burgosen, pranuan të ecin dhe drejt skuadrave të pushkatimit, por të mos dorëzojnë ato çka ata i besonin më të çmuarat për njeriun, dinjitetin e tij, besimin tek liria, besimin te Shqipëria, besimin te Zoti dhe fjala e lirë.
Ndaj edhe një herë dua të shpreh mirënjohje të thellë për këtë instalacion me një simbolikë jashtëzakonisht të fuqishme, e cila i bën nder të madh qytetit dhe vendit tonë. Në histori, e shkuara të shërben më së shumti për një të ardhme më të mirë, për të projektuar një të ardhme më të sigurt. Ndaj edhe ne shqiptarët kemi shumë e shumë arsye që të rikujtojmë të shkuarën tonë, në mënyrë që të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë. E hidhur është kur mendon se ky është vetëm një fillim, por ngushëllim i madh është kur sheh se është një fillim me një simbolikë ndër më të goditurat dhe më të fuqishmet.
Le të vazhdojmë ne me një vështrim të qartë drejt të ardhmes, të nderojmë dhe rikujtojmë ata që u sakrifikuan për vlerat më të arrira njerëzore dhe hyjnore.
Edhe një herë, në këtë ditë shiu, që, - siç do më thoshte Bashkim Fishta, - shiu është sot një lot i atyre kohërave, i falënderoj të gjithë ata që u angazhuan, për këtë punë të mrekullueshme që kanë bërë.”
26/03/2013