E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëjetesa më e re në PD

Është kusht profesionalizmi dhe jo xhelozitë brenda llojit. Më të rinjtë gjetën hapur derën e Partisë Demokratike. Të vjetrit, i mirëpritën. I bashkoi një mision i qartë, fitorja e 28 qershorit. Një listë ku brenda saj gjen politikanët, ekspertët, akademikët, profesionistët, përfaqësuesit e rinisë. Një bashkëjetesë e re në PD, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Lista e kandidatëve dominohet nga zyrtarët e strukturave të larta të kësaj partie, por përkrah tyre është dhe shoqëria civile. Në qarkun e Tiranës, i cili çon edhe numrin më të madh të deputetëve në Parlament, 32, vetëm dy prej tyre nuk vijnë nga politika, Vath Tabaku, i cili është dekan i Fakultetit të Pyjeve, doktor shkencash si dhe ish-futbollisti i njohur i Tiranës dhe kombëtares shqiptare, Indrit Fortuzi. Në listën e kryeqytetit janë emrat e tre ministrave, gjashtë zv.ministrave dhe pesë deputetëve. Në qarkun e Elbasanit janë të pranishëm dy biznesmenë, Rrahim Çota dhe Bexhet Uruçi, ndërkohë që janë edhe dy ministrat, Lulzim Basha e Ardian Turku, deputetët Dashnor Sula e Aurel Bylykbashi, si dhe ish-prefektja e këtij qarku, aktualisht drejtore e kartave të identitetit në Ministrinë e Brendshme, Mimoza Hasekiu. Në qarkun e Fierit, i cili është edhe qarku i dytë më i madh pas Tiranës që çon në Parlament 16 deputetë, 13 prej kandidatëve kanë prejardhje politike, ndërkohë që tre të tjerë, dy janë juristë dhe një biznesmen. Pjesë e listës janë kryetari i PD-së së Fierit, Ferdinand Murati si dhe prefekti i Lushnjës, Daut Sulaj. Në qarkun e Durrësit dhe Shkodrës është edhe prania më e madhe e deputetëve pas Tiranës. Nga 13 kandidatë që ka Durrësi, 4 prej tyre janë deputetë. Ndërsa në Shkodër, përveç pesë deputetëve (Topalli, Bushati, Trashani, Sterkaj e Çobaj) janë të pranishëm edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Gjokë Uldedaj, biznesmeni Gëzim Dibra, drejtori i Bibliotekës, Xhovalin Çuni, inxhinieria elektronike, Shpresa Tepelia dhe mjeku kirurg Fatbardh Spahia. Në total në listën e PD-së janë 5 prefektë dhe konkretisht i Gjirokastrës, e Vlorës, i Beratit, e Korçës dhe i Lushnjes, të cilët me regjistrimin në KQZ duhet të japin dorëheqjen nga postet që mbajnë. Qarku i Korçës është shembulli i prurjeve të reja në politikën e djathtë. Në Korçë kryeson politikani me karrierë disavjeçare në PD, Ridvan Bode, sekretar i përgjithshëm i PD-së, ministër i Financave. Ai ndiqet nga Gjergji Papa, kryetar i PD-së Korçë, pedagog. Surpriza është Ledina Alolli, pedagoge e Universitetit të Korçës, më pas nga Edmond Spaho deputet i PD-së, që ka studiuar për politikat dhe programimin financiar. Lista vijon me Fatbardh Kadillin këshilltarin e Kryeministrit për antikorrupsionin. Profesor Ismail Hoxha është emri tjetër në këtë listë bashkë me ish-dekanen dhe aktualisht prefekten e Korçës, Elfrida Zefi. Lista vazhdon me emrat e Jonela Spahos, pedagoge e ekonomisë, Eduart Ypi, ish-ministër i Bashkëpunimit Ekonomik, që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë, Alfred Gega, deputet i PD-së, Niko Dudo, nënprefekt i Korçës për Pogradecin dhe mbyllet me anëtaren e PD-së së Korçës, znj. Zinet Shaholli. Mes tyre nuk ka vend xhelozia, por përkushtimi për të punuar bashkërisht që PD-ja të mbledhë sa më shumë vota më 28 qershor dhe të sigurojë mandatin e ri qeverisës 2009-2013.

Kandidatja Ledina Alolli

Datëlindja: 19 Korrik 1975 Korçë

Arsimi:

1993 – 1997: Universiteti “Fan S.Noli”

Fakulteti i Ekonomisë, Dega Marketing

2003 – 2005: Universiteti “Neofilt Rilski”, Bllagoevgrad, Bullgari

Master Administrim – Biznesi, MBA

2005 – 2009: Universiteti i Tiranës

Fakulteti i Ekonomisë

Mbrojtur Gradën “Doktor” i Shkencave Ekonomike me temë: “Ekonomia e Rajonit të Korçës në Kërkim të Avantazheve Konkurruese”

Eksperienca në punë:

27 Nëntor 2002 e në vazhdim: Pedagoge, Universiteti “Fan S.Noli”, Korçë

Fakulteti i Ekonomisë, Dega Marketing.

Aktiviteti politik:

Me ndryshimin e madh që ndodhi në vitin 1992, është përfshirë në grupimet rinore të PD-së, më pas në forumin e Lidhjes Demokratike të Gruas, është aktivizuar në fushatat elektorale si për zgjedhjet e pushtetit qendror ashtu edhe atij lokal. Kontributi im ka qenë vlerësuar maksimalisht nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike. Në vitin 1998 e në vazhdim është anëtare e Kryesisë të LDG-së, dhe në vitin 2006, është zgjedhur në pozicionin e kryetares së kësaj lidhjeje, duke qenë edhe anëtare e Kryesisë së Degës së PD-së në Korçë.

Në vitin 2007, në zgjedhjet e pushtetit lokal, fitoi pozicionin e anëtares së Këshillit Bashkiak.

Në vitin 2009, në zgjedhjet e Degës së PD-së është zgjedhur anëtare e Kryesisë së kësaj dege.

Kandidati Vasillaq Ngreci

Vendbanimi: Fier

Arsimimi: Inxhinier Gjeofizik

Viti, 1979-83 .84 -94 inxhinier gjeolog në sizmikë dhe institutin Fier

Viti, 94 - 97 drejtor i ndërmarrjes sizmike Fier

Viti 98- 05 aktivitet privat administrator i kompanisë private për hidro-gjeologji e gjeologji inxhinierike.

Viti 2005 - drejtor teknik e zv.drejtor i Përgjithshëm “Albpetrol” sh.a.

Mars 2008, kryetar i Këshillit Bashkiak Fier.

Viti 91 anëtarë i PD-së që nga viti 1991

Viti 2002, anëtar kryesie

Viti,2007 sekretar organizativ dega Fier

Viti 2009 nënkryetar i PD-së së Fierit

Viti 2001 drejtues shtabi elektoral në zgjedhjet e fundit lokale 2007

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›