E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë e PS-së, nga Mjafti dhe biznesi



Në dy ekstreme ka vozitur Edi Rama, kur ka vendosur të fusë në listën e deputetëve të rinj të partisë së tij në Kuvendin e ardhshëm. Ai ka futur në vendet e sigurta njerëzit që ai ka më për zemër dhe bashkëpunëtorë, shumica të shitur në publik si njerëz me shumë diploma dhe të rinj në moshë. Por nuk i ka shpëtuar dot tundimit pa sjellë në një parti të majtë dhe përfaqësues të biznesit. Duke marrë parasysh dhe kombinimin e tyre me deputetë aktualë me karrierë në PS, pritet të kemi një grup parlamentar socialist tredimensional, me interesa të ndryshme përfaqësimi. Nuk di si do ia dalë Rama t’i bashkojë mendimet e tyre duke qenë se nuk është as pjesë e jetës parlamentare duke zgjedhur të drejtojë nga jashtë jetën ligjvënëse të partisë së tij. Por duke parë vonesën e madhe të publikimit të listës, duket se Rama do t’i ketë bërë llogaritë që të mos i përsëritet historia si me grupin aktual, që iu përgjysmua nga largimi dhe rrjedhja e votave që nga 2005-a.

Biznesmenët e panjohur të PS-së

Surprizimi nga lista e kandidatëve të Partisë Socialiste vazhdon të jetë i pranishëm dhe pse ka disa ditë që është bërë publike. CV-të e disa emrave të rinj që kandidojnë për herë të parë për t’u bërë deputetë dhe që janë pak ose aspak të njohur për publikun dhe aq më pak për elektoratin socialist, na japin idenë se si do të jetë grupi i nesërm parlamentar i kësaj partie, megjithëse partia kryesore e së majtës nuk i ka shpëtuar tundimit për të futur në krye të listës biznesmenë, të cilët në një mënyrë a një tjetër kanë kontribuar për mbarëvajtjen e punëve në PS, por nuk janë angazhuar publikisht në mbrojtje të parimeve dhe politikave të saj. I pari në listë shfaqet një që njihet që herët nga publiku, por që vonë është afruar tek PS-ja. Bëhet fjalë për Fidel Yllin. Njihet si biznesmen, ish-sportist i mundjes, ishte kryetar i delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Ai pritet të jetë deputet me renditjen e listës së qarkut Berat ku është i dyti. Ndërkaq, një tjetër biznesmen në Tiranë, për të cilin nuk arritëm të mësonim asgjë tjetër tek PS-ja, përveç faktit që është pronar i butik “Firences”. Bëhet fjalë për Artan Gacin, por nuk e ka shumë të sigurt karrigen e deputetit, duke qenë në vendin e 15-të në listën me 32 kandidatë të qarkut Tiranë. Por ai lë pas shumë figura të kësaj partie, si ish-zv.ministri dhe aktivist në debatet publike, Artan Lame. Në listën e të sigurtëve në Tiranë, madje para ish-ministrit Ilir Gjoni, është dhe ish-bashkëpunëtori i Ramës në bashki, tashmë biznesmen, Dashamir Peza. Gjithashtu, një ish-funksionar i burgjeve dhe kryetar i PS-së në rrethin Tiranë Xhemal Qefalia, ushtron profesionin e biznesmenit dhe është në emrat e parë në listë. Një tjetër biznesmen duket se do të jetë përfaqësues ligjor i PS-së në legjislaturën e ardhshme dhe bëhet fjalë për Azir Gashin, i treti në listën e qarkut Durrës. Ai njihet si biznesmen në fushën e ndërtimit në këtë qytet. Në qarkun e Vlorës shfaqet një emër shumë i njohur, botuesi i “Toenës”, Fatmir Toçi, i cili ushtron aktivitet biznesi në fushën e librit prej shumë vitesh dhe me vendin e 6-të në listë, në një zonë që njihet si e majtë, pretendon t’i futet politikës. Në qarkun e Shkodrës që njihet si bastion i së djathtës, PS-ja ka shpresë se mos fiton ndonjë votë, pikërisht me fushatën e biznesmenëve. I dyti në listë është Tom Doshi, që ka biznese në shumë fusha, po sidomos në atë të farmaceutikës. Ai arriti të bëhej deputet nën siglën e PS-së dhe në 2005-n. Por nuk është i vetmi biznesmen që garon për një parti të majtë në këtë qark. Fill pas tij vjen Ndue Kola, që ushtron aktivitetin e tij në fushën e ndërtimit dhe nga fundi i listës janë dhe biznesmenët Nikolin Dedvukaj dhe Luan Heta. Armando Prenga dhe Dave Gjoka janë dy përfaqësues të tjerë të fushës së biznesit në listën e kandidatëve të Lezhës, i pari ka shanse të jetë në Kuvend, kurse Dave Gjoka është e fundit në listë. Armando Subashi, biznesmen. Kryetar i gjykatës së fierit, anëtar i KLD-së e ka të sigurt detyrën e ligjvënësit pas 28 qershorit, duke qenë në krye të listës së qarkut Fier pas Gramoz Ruçit, Ermelinda Meksit e Albert Çaçit. Në qarkun e Elbasanit, në vende jo të favorshme në listë, ndodhen dy biznesmenë, Skënder Hasa, ish-kryetar i Bashkisë së Peqinit dhe Bukurosh Maci i afruar tani vonë pranë Partisë Socialiste.

Gara e diplomave

Prirja e Edi Ramës për të mbledhur rreth vetes të rinj që vinin nga studime të bëra jashtë vendit ka qenë një tipar përcaktues në ndërtimin e ekipit të Bashkisë së Tiranës, model që është importuar që ditën e parë në krye të PS-së pas ardhjes së kryetarit të bashkisë në postin e kryetarit të partisë. Vetëm ditët e fundit para shpalljes së listave Rama u kujdes që të hidhte në opinionin publik disa emra të preferuar të tij që vijnë nga eksperienca pune dhe jete jashtë vendit, që nuk e dinin as ku binte selia e PS-së, por që përqafuan pa mëdyshje politikat e saj dhe u bënë partizanët e parë në media në mbrojtje të tyre. Një nga këta emra më të spikaturit është padyshim ai i Rudina Seserit, CV-ja e së cilës u shit me “çmim të lartë” në media dhe qarqet publike nga kreu i PS-së. Ajo pritet të jetë deputete e ardhshme me vendin e dytë në listën e Durrësit. Është diplomuar në ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Amerikë dhe me Master në Harward. Ka punuar në disa kompani të njohura ndërkombëtare, si Microsoft. Vjen direkt nga Wall Street drejt e në zyrën e Ramës për të lënë në heshtje shumë nga gratë aktuale në forumet e kësaj partie, që nuk arritën dot të ishin në listën e deputetëve. Një emër që ka shokuar dhe kolegët e saj kandidatë të qarkut të Beratit është ai i Ermonela Velajt, e panjohur më parë në qarqet socialiste dhe as në publik. Ajo ushtron profesionin e prokurores në Berat dhe flitet se është vajza e një biznesmeni të fuqishëm në Greqi, mik i Edi Ramës. Kjo duke se shpjegon çdo gjë. Në qarkun e Elbasanit në krye të listës, është Ilir Bejtja, aktualisht pedagog në Universitetin e Elbasanit. Ka përfunduar studimet për ekonomi. Një emër i ri që i ofrohet votuesve të këtij qarku si alternativë socialiste. Emri që ka bërë më tepër bujë dhe që ka nisur tashmë karrierën publike është avokatja Shegushe Ligori, e cila garon në listën e Elbasanit në vendin e tretë përpara Taulant Ballës. Ajo është përfaqësuese ligjore e PS-së në disa çështje gjyqësore apo kushtetuese. Në qarkun e Korçës, në një vend jo fort të favorshëm, por e vlerësuar gjithsesi, është ish-aktivistja e Mjaftit Olta Xhaçka. Ajo la G99-n duke iu afruar PS-së muajt e fundit. Lista e Tiranës është e mbushur me të rinj të mbështetur nga Rama. Megjithëse Saimir Tahiri, drejtor i fondacionit “Qemal Stafa”, ish-zëdhënës i PS-së, me profesion jurist, mund të cilësohet i vjetër tashmë në PS, ai kandidon për herë të parë për deputet në vendet e para të kësaj liste. Ndërkaq, emra krejt të rinj e shumë pak të njohur vijnë në vende të favorshme të listës së Tiranës: Eglantina Gjermeni,

drejtuese OJQ-je, Enkelejda Shamku, studiuese, e cila mori hapësirë të madhe në PS në reagimet për arsimin. Ditmir Bushati, ish-drejtor i Integrimit në Ministrinë e Integrimit Evropian. Një prej anëtarëve të institutit Agenda, aktualisht në Lëvizjen Evropiane është një tjetër i ri në këtë listë që mund të jetë deputet i ardhshëm. Në një vend jo fort komod ndodhet dhe një emër tjetër i ri, e trumbetuar si një tjetër prurje me perspektivë nga lëvizja Mjaft, Elisa Spiropali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›