E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: S'njohim zgjedhjet nëse KQZ është e njëanshme

Nënsekretari për Çështjet Ligjore kontestoi dje vendimet e fundit të marra nga KQZ-ja


TIRANË- Partia Socialiste nuk do të njohë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në rast se KQZ-ja do të marrë vendime politike në favor të PD-së. Pikënisja e kësaj pakënaqësie lidhet me vendimet e fundit të KQZ-së, që, sipas nënsekretarit për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, janë krejtësisht të njëanshme.


"Në KQZ po zhvillohet një farsë procedurale e ligjore, ku kandidatët e PD-së po deklarojnë moskandidimin e tyre, dhe ku administrata e KQZ-së po bëhet palë në ndryshime antiligjore në këto lista. Akoma më keq, duke mbyllur sytë përpara përcaktimeve të ligjit, listat e partive aleate të PD-së po miratohen pa respektuar kriterin ligjor të kuotës gjinore, duke hedhur në kosh atë standard që u arrit në Kodin Zgjedhor.


Ironia më e madhe qëndron në faktin që organi i vetëm që garanton këto standarde, po bëhet pjesë e injorimit të tyre, duke u frymëzuar thjesht nga zelli politik dhe kalkulimet tinëzare elektorale të PD-së. Një listë kandidatësh që nuk përmbush kriteret ligjore, është një listë e pavlefshme dhe ne do ta kundërshtojmë këtë me të gjitha mënyrat e ligjshme.


Nëse PD-ja bërtet gjithë ditën për emancipim shoqëror dhe shtet të së drejtës, të paktën ta tregojë këtë me listat për deputetë",- tha dje Gjiknuri. Nënsekretari për Çështjet Ligjore deklaroi gjithashtu se lista e PD-së e dorëzuar në KQZ, është thjeshtë listë emrash, e pa shoqëruar me asnjë dokumentacion, siç e kërkon ligji.


"Treguesi më i mirë farsës së kësaj liste është fakti që z. Berisha, znj. Topalli dhe z. Patozi, vetëm dje kanë dorëzuar deklaratën e kandidimit, ndërkohë që pjesa më e madhe listës akoma nuk ka dokumentet përkatëse. Është e vërtetë që PS-ja e dorëzoi listën e kandidatëve vetëm një orë pas PD-së, por kjo listë shoqërohej me dokumentacionin e saktë dhe me deklaratat individuale të çdonjërit prej 140 kandidatëve.


E vetmja mangësi e kësaj liste ishe mungesa e dy fotokopjeve të dokumenteve të identifikimit, si dhe një ndryshim në listë për të plotësuar kuotën gjinore të kërkuar nga ligji",- tha ai. Gjiknuri shtoi se KQZ-ja po merr vendime tërësisht politike, duke caktuar vende të numërimit të votave në lokale private e duke shmangur kërkesën e pashmangshme të kodit që, VNV-të të caktohen vetëm në objekte publike.


"Rasti më flagrant është rasti i Paskuqanit, ku me arrogancë politike, KQZ-ja e vendos VNV-në në një objekt privat, thjesht dhe vetëm se këtë ia kërkon përfaqësuesi i PD-së. Ky veprim është një sinjal i qartë paralajmërues se PD-ja po përgatitet për manipulim dhe se KQZ-ja thjesht do të bëjë "sehir"",- tha ai.


Gjiknuri i bëri thirrje KQZ-së të rishikojë sjelljen e saj institucionale e të udhëhiqet vetëm nga ligji, "përndryshe do të bëhet bashkëpunëtore në krimin që po përgatitet ndaj zgjedhjeve të lira. Partia Socialiste nuk mund të njohë një palë zgjedhje, ku "arbitri" kthehet në "xhelat".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›