E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarët e PS-së: Konsensus ose largohemi nga KQZ

Rrugës së Lirisë i kthehet lista, sepse nuk ka përfaqësim burrash


TIRANË- Çdo ditë e më shumë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kthehet në një institucion tërësisht politik dhe aspak teknik.


Ndryshimi i formës së kompozimit të këtij institucioni me amendimin që iu bë Kushtetutës një vit më parë, ka sjellë një efekt negativ në funksionimin e tij, sidomos në aspektin vendimmarrës, ku anëtarët e tij janë kthyer në zëdhënës të qëndrimit të forcave politike që dhe i kanë propozuar.


Kjo gjë ka rritur shumë ditët e fundit temperaturën në marrëdhëniet jo vetëm mes përfaqësuesve të forcave politike, por edhe mes vetë anëtarëve të KQZ-së.


Kështu, pas largimit një ditë më parë të përfaqësuesit socialist nga mbledhja e KQZ-së, në shenjë proteste për vendimmarrjen e të gjitha vendimeve pa konsensusin e palëve, dje, i njëjti precedent, megjithëse me doza më të zbutura, është përsëritur edhe mes vetë anëtarëve të këtij institucioni.


Ka qenë anëtari i PS-së në KQZ, Artan Lazaj, ai që ka paralajmëruar kryetarin e këtij institucioni se anëtarët e majtë do të largohen nga mbledhjet, në rast se kolegët e djathtë do t'u imponoheshin në vendimmarrje, gjithmonë me forcën e kartonit.


Sipas tij, vendimet duhet të merren me konsensus dhe se duhet të jenë shumë të pakta rastet kur ato duhet të merren edhe pa pëlqimin e njërës apo tjetrës palë.


"Ne kemi kërkuar konsensus dhe konsensus do të thotë më shumë arsyetim nga të dyja palët. Ne e dimë raportin e votave 3 me 4 në komision, por nuk besoj se është kjo rruga që duhet ndjekur.


Në të kundërt, në rast se do të vazhdoni kështu, nuk do na mbetet tjetër veçse të largohemi nga KQZ-ja dhe të kthehemi vetëm për vendimet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash", - tha Artan Lazaj.


Ndërkohë që, edhe pas këtij kërcënimi, kryetari i KQZ-së ka vazhduar mbledhjen duke rrëzuar kërkesën e të majtëve për të rrëzuar listat e atyre partive që nuk plotësojnë kriteret ligjore.


Më pas, mbledhja ka vijuar me shqyrtimin e listave shumemërore të gjashtë subjekteve politike, duke kthyer për plotësim dokumentacioni 5 prej tyre dhe duke miratuar vetëm Partinë e Emigrantëve.


Gjatë mbledhjes së djeshme u shënua një rast aspak i zakontë për klasën politike shqiptare, ku Partisë Rruga e Lirisë iu kthye dokumentacioni, pasi në listën e saj shumemërore, për qarkun e Korçës, kishte paraqitur vetëm 1 kandidat mashkull, ndërsa gjithë të tjerat femra, duke mos respektuar kështu përcaktimin që bën Kodi Zgjedhor, për të pasur minimumi 30 për qind përfaqësim nga secila gjini.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›