E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat e identitetit, sanksione për ata që s'e njohin

Hyn në fuqi vendimi për njohjen e kartës së identitetit nga institucionet publike dhe jopublike, vendase dhe të huaja


TIRANË - Më në fund, karta e identitetit do të njihet edhe nga institucionet publike dhe jo publike. Nga dje, ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për njohjen dhe përdorimin e letërnjoftimit si dokument identifikimi në të gjitha institucionet publike dhe jo publike, vendase dhe të huaja, brenda dhe jashtë territorit.


Tanimë certifikata personale me fotografi do të përdoret si dokument identifikimi vetëm për shtetasit nën moshën 16 vjeç. Institucionet publike dhe jo publike do të mbajnë shënim numrin personal dhe numrin e letërnjoftimit, si dhe mund të bëjnë fotokopje të letërnjoftimit të shtetasve, të cilëve u shërbejnë, nëse u nevojitet ky dokument si pjesë përbërëse e praktikës përkatëse.


Në vendimin e qeverisë sqarohet gjithashtu se, në rastet kur shtetasit nuk disponojnë letërnjoftim për arsye të justifikuara, lejohet përdorimi i certifikatës personale me fotografi, si dokument identifikimi, deri më 31 dhjetor 2009, në përputhje me dispozitat e parashikuara në aktet e tjera ligjore dhe nënligjore.


Për zbatimin këtij vendimi, Këshilli i Ministrave është treguar strikt, duke parashikuar edhe sanksione në rast të shkeljes së këtij vendimi. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, ndaj punonjësve të institucioneve publike dhe jopublike, vendase, në rast të moszbatimit të dispozitave të parashikuara në këtë vendim, do të merren masa disiplinore.


Fillimisht do të vihet një gjobë, e cila kap vlerën e gjysmës së pagës, në rast përsëritjeje, gjoba shkon në vlerën e një page dhe, nëse ripërsëritet, kalohet në pezullim nga detyra. Ky është vendimi i fundit që qeveria ka nxjerrë lidhur me zbatimin e kartave të identitetit, duke vendosur tashmë që letërnjoftimi nuk do të përdoret vetëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por do të shërbejë si dokument identifikimi për të gjitha institucionet, ashtu siç janë përdorur më parë certifikatat personale.


Këto të fundit do të lëshohen vetëm për personat nën 16 vjeç. Megjithatë, qeveria ka lënë një hapësirë edhe për ata kategori njerëzish, të cilët për arsye objektive nuk janë të pajisur me kartën e identitetit. Për këtë arsye, certifikatat personale do të njihen nga institucionet publike dhe jo publike deri në fund të muajit dhjetor 2009.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›