E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkekzistenca e demokracisë me islamin është e mundur!

Noah Feldman, profesor i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Harvard, mendon se bashkekzistenca e demokracisë me islamin është e mundur. Ai ka publikuar para pak kohësh studimin "Rënia dhe ngritja e Shtetit Islam", në të cilin thuhet se një shtet i ardhshëm modern, i bazuar në parimet e islamit, mund të garantojë liritë politike dhe të drejtat e gjithë qytetarëve, por me kusht që të ngriheshin institucionet demokratike, të cilat do të ishin kundërpeshë e ndikimit të qarqeve fetare.

Noah Feldman shkruan se në shtetet mesjetare islame ka pasur barazi pushteti, që kanë garantuar dokumente kushtetuese, të bazuara në drejtësinë e Sheriatit.

"Barazia ishte vendosur, sepse sunduesi nuk ka pasur kompetencë për të interpretuar të drejtën e Sheriatit. Këtë e bënin teologët, që i zbatonin normat islame në problemet jetësore, në realitetin politik të këtyre vendeve. Për këtë shkak, teologët kanë pasur fuqinë e vërtetë për ta kufizuar sunduesin. E dimë se çdo sistem kushtetues ka sukses vetëm nëse vendos një barazi të tillë, që asnjëra palë të mos ketë fuqinë e plotë. Mendoj se ky ka qenë shkaku i suksesit të këtyre shteteve.

Feldman e shpjegon pushtetin autoritar në shoqëritë islame në fund të shekullit 19 dhe përgjatë shekullit 20, si përpjekje të pasuksesshme, për të kodifikuar drejtësinë e Sheriatit sipas shembullit të sistemeve të vendeve perëndimore.

"Teologët kanë humbur nga ndikimi, ndërsa pushteti ekzekutiv është bërë i gjithëfuqishëm", thotë ky profesor i të Drejtës në Harvard.

Sipas tij, prej këndej arrijmë në përfundimin se suksesi i një demokracie në botën islame, sidomos asaj arabe, varet nga përtëritja e ndikimit të gjykatës, domethënë e pushtetit gjyqësor.

Anketat tregojnë se në shumë vende arabe, në të vërtetë në shumicën e vendeve islame, publiku mbështet më tepër partitë që janë për vendosjen e të drejtës së Sheriatit. "Dukuria e institucioneve të reja demokratike është e lidhur me suksesin zgjedhor të këtyre politikanëve", thotë Feldman.

Ideja e demokracive islame është tërheqëse, edhe sepse regjimet e tanishme botërore mendohen të korruptuara, të padrejta e të pasuksesshme. Shumë myslimanë mendojnë se qeveritë që janë për pranimin e drejtësisë së Sheriatit do të ishin më të ndershme, domethënë do t‘i përmbaheshin më shumë ligjit se sa qeveritë e tanishme.

"Sistemi i Sheriatit bazohet në respektimin e të drejtës. Nëse njerëzit që janë në pushtet, të cilët janë zgjedhur mbi bazën e Sheriatit, besojnë se drejtësia e tij nuk është në kundërthënie me barazinë e sekseve dhe barazinë e besimit- që shumë politikanë islamë thonë se besojnë -atëherë nuk ka shkaqe që shteti islamik të mos jetë edhe shtet demokratik, thotë Feldman.

Noah Feldman, me këshillat e tij si ekspert ka ndihmuar për Kushtetutën irakiane. Ai vëren se edhe në Kushtetutën e Afganistanit e Irakut shkruajnë që islami është fe zyrtare, ndërsa e drejta e Sheriatit është burim i të gjitha ligjeve.

Feldman thotë se këto kushtetuta, pa marrë parasysh pushtimin amerikan të këtyre vendeve, e kanë vendosur klimën në përmasat e lirisë dhe paraqesin modelin e reformës demokratike. Ai thotë se Uashingtoni nuk duhet të mbështesë diktaturat në vendet arabe, si në Egjipt, vetëm se ato garantojnë stabilitet në rajon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›