E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, e rrallë: Njeriu me 26 gishta

Konstatohet rasti i rrallë. Jeton në një fshat të rrethit të Vlorës. Genti, si e thërrasin të gjithë, ka lindur me 26 gishta, ndërsa jeton ashtu normalisht. 23-vjeçari me 7 gishta në secilën dorë dhe me 6 gishta në këmbë mund të konsiderohet rast i rrallë. Gentian Mehmeti, banor i fshatit Picar, vazhdon jetën e tij normalisht dhe për të nuk ka asnjë problem, ndihet i barabartë me të tjerët dhe aspak ndryshe. Ai jeton dhe punon normalisht e tregon se kështu ka lindur, me këtë mutacion dhe nuk ka asnjë pengesë për të vijuar normalisht jetën. Ai punon në fshat, nget makinën, vesh këpucë e atlete normale, pavarësisht numrit shtesë të gishtave në duar e këmbë.

"S‘jam ndier aspak keq, thotë Gentiani, askush nuk më ka ofenduar dhe unë s‘jam ndier asnjëherë keq. Unë bëj çfarëdolloj pune. Dy gishta më shumë ndonjëherë më kanë ndihmuar më shumë në punën time të përditshme në fshat, madje i jap makinës për mrekulli. Edhe gishtat e këmbës nuk më kanë krijuar asnjëherë problem. Vesh çfarëdolloj këpuce apo atlete. Nuk di të them që më pengojnë, pasi unë kështu kam lindur e s‘e di si është me pesë gishta në duar e këmbë.

Ndërkohë tregon edhe për rastin kur ka marrë iniciativën për të hequr gishtat shtesë në duar e këmbë, nëpërmjet një operacioni, por që ndërroi mendje në spitali, pasi i thanë se ishte dhuratë e Zotit, dhe i riu besimtar vendosi të jetonte me to. "Para dy vitesh, tregon ai, për efekt estetik vendosa t‘i heq gishtat e duarve dhe të këmbëve në spitalin e Tiranës, madje u shtrova. Por, duke bërë bisedë me një të shtruar, ai më tha: Unë të rekomandoj që të mos i heqësh gishtat, sepse ato janë dhuratë e Zotit dhe ti nuk duhet t‘i heqësh. Deshi Zoti dhe t‘i ka dhënë. Ti duhet t‘i mbash. Në këtë moment mua m‘u kthye mendja. I thashë doktorit që nuk do t‘i heq dhe u largova nga spitali duke u rikthyer në fshatin tim, për të vazhduar jetën normale".

Gentiani vijon jetën normalisht. Ai nuk ka asnjë pengesë për të kryer çfarëdolloj pune, sikundër tregon dhe vetë, ndërsa nuk është i ndërgjegjshëm që është i rrallë, njeri me 26 gishta, prej të cilëve 14 në duar dhe 12 në këmbë.

Intervista me Gentianin

26 gishta. Kështu i kini pasur që kur kini lindur, apo u janë shfaqur më vonë?

Kështu kam lindur, me 7 gishta në duar dhe me 6 gishta në këmbë.

Si jeni ndier mes shoqërisë tuaj për këtë fakt?

S‘jam ndier aspak keq, askush nuk më ka ofenduar dhe unë s‘jam ndier asnjëherë keq.

Ju pengojnë 7 gishtat në duar të bëni çfarëdolloj pune?

Unë bëj çfarëdolloj pune. Dy gishta më shumë ndonjëherë më kanë ndihmuar më shumë në punën time të përditshme në fshat. Madje i jap makinës për mrekulli. Edhe gishtat e këmbës nuk më kanë krijuar asnjëherë problem. Vesh çfarëdolloj këpuce apo atlete. Nuk di të them që më pengojnë, pasi unë kështu kam lindur e s‘e di si është me pesë gishta në duar e këmbë.

A ju ka shkuar ndërmend t‘i hiqni gishtat e tepërt duke kryer operacion?

Po, para dy vitesh, për efekt estetike vendosa t‘i heq gishtat e duarve dhe të këmbëve në spitalin e Tiranës, madje u shtrova. Por, duke biseduar me një të shtruar, ai më tha: Unë të rekomandoj që të mos i heqësh gishtat, sepse ato janë dhuratë e Zotit dhe ti nuk duhet t‘i heqësh. Deshi Zoti dhe t‘i ka dhënë. Ti duhet t‘i mbash. Në këtë moment mua m‘u kthye mendja. I thashë doktorit që nuk do t‘i heq dhe u largova nga spitali duke u rikthyer në fshatin tim për të vazhduar jetën normale.

Besoni te Zoti? Jeni besimtar?

Sigurisht që besoj, përderisa anulova operacionin dhe kështu do t‘i mbaj e nuk do t‘i pres kurrë. Atë që të jep Zoti nuk duhet ta heqësh dhe sidomos që prania e më shumë gishtave nuk më pengon aspak, por dhe nuk më vjen turp nga askush dhe askush nuk më ka ngacmuar për këtë fakt. Unë vazhdoj jetën normalisht, pa asnjë pengesë.

Vuani nga ndonjë gjë tjetër në trup?

Po, para shumë vitesh kam bërë një operacion në zemër, sepse sipas mjekëve kisha një vrimë në zemër. Mbas operacionit nuk kam pasur asnjë shqetësim tjetër.

Sipas mjekëve, ky fenomen ndodh për shkak të çrregullimeve, mutacioneve, ku ka pasur raste dhe te njerëzit, por edhe te kafshët që lindin të bashkuar, me dy koka, me më shumë se dy këmbë e të tjera çrregullime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›