E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama të përgjigjet për përdorimin e drogës

Reagim nga ministria, heshtje nga LSI

Sulmeve të PS-së për korrupsion financiar dhe ekonomik, përfaqësuesi i ministrit Dritan Prifti iu është kundërpërgjigjur dje me akuza për korrupsion moral. Pas sqarimeve të dhëna nga vetë ky i fundit, për sa u përket fakteve të publikuara nga PS-ja, numri dy i Ministrisë së Ekonomisë, Leonard Beqiri, është pozicionuar në debatin politik përmes artikulimit të akuzave personale ndaj Edi Ramës. Duke folur nga selia e ministrisë, në cilësinë e zv.ministrit, por edhe të anëtarit të Kryesisë së LSI-së, Beqiri ka risjellë në vëmendje çështjen e raporteve të Ramës me përdorimin e lëndëve narkotike. “E pyesim përsëri zotin Rama nëse ai ka përdorur dhe përdor lëndë narkotike. Kësaj pyetjeje nuk mund t’i shmanget për kohë të gjatë. Populli ka të drejtë të dëgjojë. Populli pret një përgjigje. Populli nuk mund t’i besojë një personi që emocionet e veta kërkon t’i kontrollojë duke përdorur lëndë të palejueshme, lëndë narkotike, konkretisht kokainë”, tha Beqiri. Për të lënë mënjanë natyrën e sulmeve të këtilla, duhet thënë se në reagimin e vet, ai ka nënvizuar cilësitë politike si anëtar i LSI-së, çka duket se mbush atë boshllëk të krijuar nga heshtja e kësaj partie për të dhënë një qëndrim zyrtar për çështjen në fjalë. Ndërkohë, në komentin e vet për këtë çështje, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka nënvizuar kontekstin e saj që lidhet me të shkuarën e marrëdhënieve personale mes Dritan Priftit dhe Edi Ramës. “Mund t’ju them me keqardhje se xhelozia dhe fobia e z. Rama ndaj z. Prifti janë të vjetra, nuk janë të reja”, është shprehur Meta, duke kërkuar sqarimin e çështjes në rrugë institucionale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›