E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunëtorët e Diverolit pranojnë se janë fajtorë për aferën e municioneve

Nga Curt Anderson, Associated Press

Dy persona u deklaruan të fajshëm të martën në Miami për akuzat federale për mashtrim në rolin e tyre në një skemë që parashikonte dërgimin e municionit kinez për ushtrinë e Afganistanit, duke shkelur kështu një kontratë të ushtrisë amerikane të vlefshme pothuajse 300 milionë dollarë.

David Packouz dhe Alexander Podrizki, të dy 27-vjeçarë, pranuan secili fajësinë për akuzat për mashtrim, e cila mund t’iu kushtojë atyre një vendim maksimal me burgim deri në pesë vjet. Gjykatësja e Distriktit të SHBA, Joan Lenard, deklaroi se vendimi do të jepet më 28 shtator.

Packouz, që është gjithashtu dhe një autor tekstesh këngësh dhe muzikant, ishte zëvendëspresident i AEY Inc., një kontraktor ushtarak me qendër në Miami Beach, dhe Podrizki ishte agjenti i firmës në Shqipëri. Presidenti i AEY, Efraim Diveroli, dhe ortaku i tij në biznes, Ralf Merrill, janë deklaruar të pafajshëm dhe po presin zhvillimin e gjyqit.

Të dhënat e gjyqit tregojnë se në janar të vitit 2007, ushtria i dha kompanisë AEY një kontratë prej 298 milionë dollarësh për të dërguar fishekë 7.62 milimetër për ushtrinë afgane. Kontrata ndalonte që të dërgohej municion kinez për të përmbushur marrëveshjen.

Furnitori kryesor i AEY ishte kompania shqiptare e importit dhe eksportit ushtarak, MEICO, e cila ka shitur sasi të mëdha municionesh kineze të vitit 1958 deri në vitin 1974.

Packouz dhe Podrizki pranuan në një seancë deklarimesh të martën se ata ishin përfshirë në një plan të fshehtë për të zhdukur origjinën kineze të municioneve, duke i ripaketuar ato, duke hequr të gjitha gjurmët e prodhuesit kinez.

Së fundmi, 35 dërgesa me rreth 90 milionë fishekë u dërguan në Afganistan, duke i kushtuar ushtrisë më shumë se 10.3 milionë dollarë.

AEY i dha ushtrisë certifikata të shkruara se municioni ishte shqiptar, të cilat, sipas prokurorisë, ishin false.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit nisi vjet një hetim për të provuar nëse një zyrtar i lartë amerikan ishte i implikuar në këtë aferë.

Përveç kësaj, hetuesit e Kongresit zbuluan se në vitin 2008, AEY dërgoi helmeta të pasigurta për trupat në Irak, dështoi në dërgimin e më shumë se 10 mijë pistoletave në Irak dhe dërgoi municion të cilësisë së dobët për forcat speciale të ushtrisë amerikane.

Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit kanë ndërprerë ose pezulluar shtatë kontrata të AEY për shkak të dështimit në përmbushjen korrekte të tyre.

Packouz dhe Podrizki, secili kanë nënshkruar deklaratën e fajësisë, që u kërkon atyre të ndihmojnë hetuesit të identifikojnë asetet që mund të jenë objekte të penalizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›