Dy mashtrues ballkanas dhe rezoluta për Kosovën
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, janë vënë në garë kush të lavdërohet më shumë me rezolutën e Konferencës Islamike për Kosovën. Ministri ynë, talenti i vetëm i të cilit deri më sot është patetizmi, gati sa na hutoi si magjistari Nadir, duke na thënë se vendet islamike votuan një rezolutë për njohjen e menjëhershme të Kosovës. Pas kësaj mendova se në Beograd do të kishte rënë vërtet zija. Po, ndërsa po lexoja lajmet e B92, agjencisë më serioze properëndimore serbe, pashë se njësoj si Lulzim Basha, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, e quante rezolutën një tjetër fitore historike për Serbinë. (Arabia Saudite dështon në propozimin për pavarësinë e Kosovës: Source: B92.http://www.b92.net/eng/news/politics-article.php?yyyy=2009&mm=05&dd=24&nav_id=59349)
Sigurisht që të dy gënjejnë, edhe Lulzim Basha, dhe Vuk Jeremiç. Konferenca Islamike natyrisht që ka lëvizur nga pozicioni gati armiqësor që kishte ndaj njohjes së shtetit të Kosovës, por është ende shumë larg njohjes së saj dhe ndoshta s’do arrihet kurrë njohja në bllok. Është i dhimbshëm fakti që Shqipëria ka paguar një taksë të rëndë duke qenë anëtare e kësaj organizate, me arsyetimin se do të na ndihmojë për pavarësinë e Kosovës dhe në të vërtetë ajo po bëhet pengesa e fundit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Dhe Lulzim Basha me “suksesin” e Konferencës Islamike gënjeu si zakonisht, jo vetëm shqiptarët, por dhe Behxhet Pacollin, i cili, sa herë merr vesh ndonjë lajm se ndonjë vend do ta njohë Kosovën, hap fjalë se ka punuar më parë për këtë njohje. Dhe në këtë rast Azerbajxhani, tek i cili ai kishte shumë besim, ishte sërish kundër dhe pengesë kryesore e rezolutës së paraqitur.
Pak a shumë kështu i ndodhi dhe Lulzim Bashës. Pasi rezoluta nuk ishte ajo që u nis, dhe pasi thelbi inkurajues i saj u zbeh, ministri ynë doli para kamerave shend e verë dhe dha lajmin se pritet një valë e fortë njohjesh për Kosovën. Shpresa e tij e vetme është që ne t’i llogarisim si bilanc të tij shtetet myslimane që mund ta njohin në të ardhmen Kosovën. Ky banalitet i tij më kujtoi natën para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, rreth orës 1 të natës duke u gdhirë 17 shkurti, kur Basha iu dërgonte sms gazetarëve të Tiranës në Prishtinë duke u thënë: “Po i jap dorën e fundit”.
Ky protagonizëm qesharak me një çështje shumë serioze, siç është pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga Perëndimi dhe gjithë vendet e tjera, është thelbi i vërtetë i këtij manekini. Ata që kanë njohur Kosovën dhe ata që do ta njohin, do t’i marrin vendimet, jo duke pasur parasysh Lulzim Bashën, por Kosovën. Unë nuk di me çfarë modeli e inkurajon Lulzim Basha njohjen e Kosovës në botë, por deri më sot ai thjesht shpresojmë mos të ketë prishur punë me historitë e tij të korrupsionit dhe vesin për të gënjyer për çdo gjë.
I njëjtë si Basha dhe ministri serb, Jeremiç, mburret se ka arritur një fitore në Damask duke frenuar njohjen e Kosovës nga Konferenca Islamike. Njësoj si Basha dhe ky delirant mendon se Kosova mund të pengohet nga lobimi i tij personal. Për një koincidencë shumë private, të dy këta njerëz, si Lulzim Basha, dhe Vuk Jeremiç, kanë një shok të përbashkët serbo-boshnjak, Damir Fazlliçin. Jeremiç ka ndenjur me të në Londër në një dhomë, ndërsa Basha ka pasur deri biznese përmes kunatit të tij. S’di pse këta dy mashtrues më kujtojnë gjithmonë Fazlliçin, sidomos kur krekosen si gjelat mbi pleh