Birçe Hasko,një komedi për trafikun e organeve
ALMA MILE
Nuk është thjesht një vepër kundër trafikut të paligjshëm të organeve, por edhe për miqësinë e vërtetë dhe dashurinë njerëzore. Komedia “Ah, veshkat e mia”, me autor dramaturgun grek Babis Cikliropulos dhe me regji të Birçe Haskos vjen nesër në skenën e “Black Box”, në Akademinë e Arteve, si prodhim i qendrës “Art & Colour”. I njohur më së shumti si aktor, por edhe si pedagog i disa breza aktorësh, Birçe Hasko këtë herë ka zgjedhur pozicionin e regjisorit. Ka zgjedhur një vepër të fortë, që trajton një problematikë shqetësuese të viteve të fundit, atë të trafikimit të organeve njerëzore. Një fenomen që ka tronditur Shqipërinë, por edhe vendin tonë fqinj Greqinë. Kjo është edhe arsyeja pse dramaturgu grek Cikliropulos e ka marrë këtë temë për veprën e tij. Komedia është aktuale dhe përputhet me realitetin shqiptar, ku njerëz në varfëri ekstreme, janë të shtyrë të ndërmarrin veprime gjithashtu ekstreme, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Lajme për klinika ilegale transplantosh, apo trafikim qeniesh njerëzore, kemi dëgjuar jo rrallë herë vitet e fundit. Për të ofruar këtë vepër, Hasko i ka besuar një stafi aktorësh të rinj. Kështu, Dorian Ramaliu interpreton rolin e Miçarës, Devis Muka të Bulit, Klodian Hoxha- Veshkaxhiu dhe Marsela Lena në rolin e Magdalenës. “Ah, veshkat e mija”, është një komedi dramatike tepër e hidhur dhe sarkastike, e cila sjell në qendër të vëmendjes aspiratat dhe aventurat e dy personazheve ekstrem të ndryshëm, të cilët përpiqen të mbijetojnë me nder. Miqësia dhe dashuria e tyre arrin deri në sakrificë, kur papritur ata ndodhen përpara dilemës nëse do t’i japin veshkat e tyre personit enigmatik ndërmjetës, për të fituar para dhe të ndryshojë jeta e tyre. Vepra flet në mënyrë komike për vetminë, për etjen e kontaktit fizik, për shfrytëzimin e njerëzve të pamundur. Është një vepër që himnizon miqësinë dhe humanizmin. Realizimi i kësaj shfaqjeje u bë i mundur falë ndihmesës së Teatrit të Metropolit dhe Akademisë së Arteve. Buli dhe Miçara janë dy shokë fëmijërie, beqarë, kanë ekstremisht karaktere të kundërta, të cilët bashkëjetojnë prej vitesh, por, brenda në varfëri duke mbledhur vjeturina. Në jetën e tyre ata ndajnë gjithçka punën, shtëpinë, ëndrrat, bonjakërinë, papunësinë, ankthin. Miçara frekuenton bordellon e lagjes dhe rri me prostitutat, është më i hapur te ofertat që i bëhen por dhe naiv, ndërsa Buli është i turpshëm, nuk del nga shtëpia dhe pret të njohë dashurinë e vërtetë. Që të dy plotësojnë, mbështesin dhe kujdesen për njëri- tjetrin. Ata kanë etje që të ndryshojnë jetën e tyre, të udhëtojnë, të bëjnë pushime në Afrikë në shoqërinë e vajzave të bukura dhe të qëndrojnë në detin me pemë hurmaje! Në jetën e tyre hyn një zotëri misterioz, por dhe shumë tërheqës. Duke bërë “samaritanin e mirë” papritur ai ju bën një ofertë joshëse që çekuilibron gjithë jetën e tyre. Premton t’i shpëtojë nga fatkeqësitë dhe do t’i sigurojë mjaft para për të realizuar ëndrrat e tyre. Ai iu propozon që do t’i blejë veshkat e tyre për të bërë transplantin e një të sëmuri kundrejt një pagese. Vepra të bën ta ndjekësh me një frymë. Është e mbushur me skena interesante dhe komike, që i japin gjallëri ngjarjes.
Shfaqja
“Ah, veshkat e mija”
Autor: Babis Cikliropulos
Regjisor: Birçe Hasko
Përkthimi: Natasha Kseno
Skenografi & Kostumografi: Beqir Nanaj
Interpretojnë aktorët:
Doriani Ramaliu-Miçara
Devis Muka-Buli
Klodian Hoxha-Veshkaxhiu
Marsela Lena-Magdalena
Data: 28,29,30,31 Maj 2009 në “Black Box”,
Akademia e Arteve, Tiranë.
Ora: 20.00