Vjen në shqip “Rojë në thekërishtën buzë greminës”
Vjen në shqip një ndër veprat më të mira të letërsisë amerikane. Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori në qarkullim romanin “Rojë në thekërishtën buzë greminës” të autorit amerikan J.D. Salinger (“The Catcher in the Rye”). Shkrimtari amerikan Jerome David Salinger ka lindur në Nju-Jork, në vitin 1919. Njihet nga mbarë kritika dhe lexuesit si një nga shkrimtarët më popullorë dhe më me ndikim në letërsinë amerikane të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Salingeri bëhet i famshëm pas botimit të romanit “Rojë në thekërishtën buzë greminës” më 1951, protagonisti i të cilit, Holden Kolfild, bëhet prototipi i adoleshentit rebel e konfuz në kërkim të së vërtetës dhe së pafajshmes, jashtë botës artificiale të së rriturve. Rreth gjysmës së viteve ’60, mbas botimit të disa tregimeve në revista, Salingeri vendosi të dilte nga skena e letrave e të mos botonte më asgjë. Romani u botua më 1951, fillimisht për të rriturit, e më tej u bë pjesë e librave të këshilluar për shkollat e larta dhe kolegjet në të gjithë botën anglishtfolëse; gjithashtu është përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore të botës, me një shitje të përgjithshme prej më shumë se 65 milionë kopjesh.