E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Po përgatitet manipulim me votuesit pa pasaportë që thuhet se janë jashtë

Nga Luljeta Progni

Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë dje në një debat të ri në lidhje me çështjen e letërnjoftimeve elektronike. Mazhoranca ka deklaruar se situata e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është shumë e mirë. Ministria e Brendshme, përmes zëvendësministrit, Ferdinand Poni, u ka kthyer përgjigje socialistëve për shqetësimet e tyre.

Ministria e Brendshme

“Procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme shumë të mira.

Deri në datën 26 maj 2009 kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1 100 173 (një milion e njëqind mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) shtetas, nga të cilët 979 763 (nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre) janë hedhur në sistemin e kontrollit të dokumenteve, prej të cilëve 404 956 (katërqind e katër mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë) janë identifikuar se i përkasin grupit të qytetarëve që janë pa pasaportë.

Duke patur parasysh shumën e përgjithshme 1 100 173 (një milion e njëqind mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) të personave që kanë aplikuar, do të thotë se totali i përgjithshëm i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri në datën 26 maj 2009 është rreth 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë)”, - thuhet në letrën e dërguar për selinë rozë nga zv/ministri Poni.

Sipas tij, numri i personave pa pasaportë, që ndodhen jashtë vendit në mënyrë ilegale dhe që rrezikojnë të mos marrin kartë, luhatet te 160 mijë deri në 260 mijë qytetarë.

Sipas Ponit, kjo është një shifër e pranuar nga vetë socialistët. “Gjithsesi, ne besojmë thellë se një numër i konsiderueshëm i atyre që rezulton të mos e kenë një pasaportë udhëtimi, të jenë jashtë Shqipërisë si pasojë e emigracionit të paligjshëm të ndodhur prej më shumë se 15 vitesh. Disa testime provojnë se ky numër luhatet nga 160 000 deri në 260 000.

Për më tepër në korrespondencën e Partisë Socialiste drejtuar grupit negociator për çështjen e kartave, ju citoni se prisni që nga grupi i qytetarëve pa pasaportë të paraqiten për aplikim jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) të tillë, shifër të cilën e kanë konfirmuar edhe diplomatë të huaj pas takimeve me ju”, - thuhet në letrën e Ponit.

Zëvendësministri ka deklaruar se firma prodhuese ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për prodhimin e kartave.

“Këto kapacitete ofrojnë mundësi për aplikimin e rreth 500 000 (pesëqind mijë) shtetasve deri më datën 14 qershor 2009. Sistemi ka treguar se është i aftë të pranojë deri në 20 000 (njëzetë mijë) aplikime në ditë”, - thotë Poni.

Ai deklaron gjithashtu se lista e votuesve që kanë marrë letërnjoftim nuk mund t’i vihet në dispozicion PS për shkak procedurash.

Poni shkruan në letrën e tij se të dhënat që i janë dërguar PS, janë përdorur në mënyrë të jashtëligjshme.

“Me këtë rast, ju shprehim shqetësimin tonë në lidhje me përdorimin e jashtëligjshëm nga ana juaj të të dhënave personale të shtetasve që ne ju kemi dërguar deri tani. Kemi konstatuar se ju këto të dhëna i keni shpërndarë te persona të paautorizuar dhe duke i përdorur publikisht, çka dhunon kështu mbrojtjen e të dhënave dhe legjislacionin përkatës”, - përfundon letra e zyrtarit të qeverisë.

Reagimi i socialistëve

Socialistët, përmes Sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, kanë reaguar pas letrës së dërguar nga Ministria e Brendshme, duke thënë se kjo ministri po vulos manipulimin zgjedhor me këtë mënyrë reagimi.

“Kanë dërguar, sipas asaj që thuhet në shkresën përcjellëse të ditës së sotme, listën emërore, sipas njësive vendore, të votuesve pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar, për të cilën do të japim nesër vlerësimin e saktë për cilësinë e saj. Por, ndërkohë, ne kemi kërkuar listën emërore të votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe jo atë të votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar.

Ripërsëris se, së pari kërkojmë listën e votuesve me pasaportë duke ritheksuar si të paargumentuar arsyetimin e datës 19 maj për mbrojtjen e të dhënave personale. Është kërkuar vetëm lista e votuesve pa pasaportë pa asnjë të dhënë personale tjetër shoqëruese. Ky insistim i lë vend dyshimit për manipulim me shifrën prej 730 votues pa pasaportë”, - tha Islami.

“Është abuziv fakti se në shkresën e dërguar thuhet se “disa testime provojnë” se numri prej 160-260 mijë i votuesve pa pasaportë që do të mbeten pa aplikuar nga shifra prej 730 mijë shtetas të larguar jashtë vendit si pasojë e emigracionit të paligjshëm. Ky është një interpretim i papranueshëm dhe arbitrar. Për më tepër është edhe naiv deri qesharak, sepse koincidon plotësisht me shifrën e votuesve pa pasaportë që ne kemi parashikuar prej disa javësh (270-300 mijë), të cilën kjo qeveri e ka të pamundur ta pajisë me letërnjoftimi”, - vijoi më tej ai.

Sipas Islamit, informacioni që i ka dërguar ministria PS, është publik, pasi janë të dhëna që janë në lista votuesish, ndaj dhe pretendimi se të dhënat janë përdorur në mënyrë të paligjshme cilësohet si kërcënim.

“Së fundi, më duhet të deklaroj se i gjithë informacioni i kërkuar nga ne, dhe i dërguar nga Ministria e Brendshme, është thjesht publik, sepse ka të bëjë me të dhëna që janë në listat e votuesve. Për rrjedhojë, “shqetësimi” i ministrisë se ky informacion është përdorur në mënyrë të jashtëligjshme, është abuziv dhe e konsiderojmë kërcënim.

Edhe një herë kujtoj se pa dashur të vendosim asnjë kusht, data 31 maj është afati i fundit, kur ne presim një përgjigje nga ministri i Brendshëm, të plotë dhe të saktë.

PSSH po ruan gjakftohtësinë dhe mbetet plotësisht e angazhuar për të ruajtur maksimalisht imazhin e vendit, për të garantuar zgjedhje të standardeve demokratike. PSSH ri-shpreh qëndrimin e saj të qartë për të respektuar zhvillimin e zgjedhjeve më 28 qershor 2009, por edhe për të mos lejuar të ndryshojë rezultati i zgjedhjeve përmes lojës me letërnjoftimet”, - tha Islami.

Glover: Pajisni shqiptarët me karta

Shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit, ambasadorja Odri Glover, i bën thirrje klasës politike të bëjë çdo përpjekje për të pajisur me karta identiteti të gjithë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë. Glover në të parën intervistë televizive, thotë për ALSAT, një ditë pas publikimit të raportit paraprak të ODIHR, se është e vetëdijshme që dokumenti i votimit do të jetë pika e nxehtë e këtyre zgjedhjeve.

“Duhen bërë të gjitha përpjekjet që zgjedhësit me të drejtë vote, por pa dokumentet e duhura të identifikimit, të pajisen me karta identiteti, në mënyrë që të kenë mundësinë të votojnë më 28 qershor. Kjo është një përgjegjësi e qeverisë në mënyrë të veçantë, por si me të gjitha politikat që kanë të bëjnë me qytetaret, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit duhet të ketë mbështetjen e qytetarëve dhe partive politike. Është tepër herët që të bëjmë komente për procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit, por e kuptojmë që kjo është çështje që ka hapur polemika në këto zgjedhje”, - u shpreh për ALSAT, Odri Glover.

Pavarësisht polemikave që shoqëruan ardhjen e saj dhe impaktit që do të ketë në sytë e ndërkombëtarëve raporti i hartuar nga zyra e ODIHR, 2 muaj pas zgjedhjeve, Glover thotë se ai do të jetë larg paragjykimeve.

Pyetjes se çfarë ndodhi në Shqipëri në ‘96 dhe cili ishte roli i saj në atë situatë, Glover thotë: “Unë isha shefja e misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 1996. Për ne është e rëndësishme të mos mendojmë për të kaluarën - 1996 ka 13 vjet që ka kaluar - por të shohim zgjedhjet e vitit 2009. Arsyeja pse jemi këtu është që të kryejmë misionin tonë në mënyrë të paanshme dhe pa paramendime”.

Odri Glover, e rikthyer në Shqipëri për të vëzhguar sërish zgjedhjet, ka një sugjerim për drejtuesit aktualë të partive, të shmangin problemet e evidentuara në zgjedhjet e 2005 dhe 2007.

Glover mori detyrën si kryesuese e misionit monitorues ndërkombëtar të zgjedhjeve të 28 qershorit më 8 maj. Pjesë e skuadrës së saj janë 26 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që për ditën e zgjedhjeve, për të monitoruar procesin e votimit dhe numërimit të votave, me kërkesë të ODIHR, pritet të vijnë dhe 400 vëzhgues afatshkurtër.

ALSAT

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›