Bashkëpunim antikorrupsion
Bamir Topi, president
Presidenti Bamir Topi u shpreh dje, se duhen hedhur hapa me intensitet më të lartë dhe duhet të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional më të lartë për të parandaluar aktet korruptive
Presidenti Bamir Topi u shpreh dje, se duhen hedhur hapa me intensitet më të lartë dhe duhet të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional më të lartë për të parandaluar aktet korruptive. Sipas tij, kjo duhet të përfshijë gjithë sektorin e legjislativit dhe të gjyqësorit, për të zbuluar në kohën e duhur akte të tilla. “Në luftën kundër korrupsionit, Inspektorati i Lartë duhet ta shtrijë axhendën e vet edhe në këtë linjë. Ai duhet të fillojë t’i evidentojë rastet korruptive, pasi asgjë nuk mund të kamuflohet në një vend të vogël si i yni”, - deklaroi kreu i shtetit gjatë një takimi të organizuar nga Inspektorati i Lartë e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kryetarja e këtij institucioni, Fatmira Laskaj, nënvizoi se strategjia antikorrupsion kërkon më shumë bashkëpunim mes institucioneve. “Bashkëveprimi në kohën e duhur do të ndikonte pozitivisht për të parandaluar veprimet e parregullta të zyrtarëve të lartë. ILDKP i ka kushtuar kujdes transparencës për procedurat administrative e ligjore mbi deklarimin e pasurisë, detyrimet financiare dhe parandalimin e konfliktit të interesit të nëpunësve publikë apo personave të zgjedhur”, theksoi Laskaj. Sipas saj, suksesi i përbashkët do të ishte moslejimi që personi publik të arrijë deri në konsum të përgjegjësisë penale.