E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, rritet mosha e pensionit

Pensionet suplementare për kategori të ndryshme në sektorin e ushtrisë, mbrojtjes dhe rendit, kanë pësuar një unifikim, me qëllim rritjen e shtesës, në varësi të kontributit. Megjithatë, qeveria ka rritur edhe moshën për të dalë në pension të parakohshëm, duke krijuar pakënaqësi në radhët e Forcave të Armatosura, sidomos Gardës, ndërsa është munduar të ngushtojë diferenca me të liruarit para muajit maj 2005. Dy ditë më parë, mbrëmjen e datës 13 maj, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, miratoi projektligjin "Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë", i kthyer nga Gjykata Kushtetuese. Propozimi i qeverisë duhet të kalojë për miratim në seancë plenare, që parashikohet të zhvillohet sot pasdite. "Shqip" boton të plotë vendimin, me shtesat, kategoritë, afatet dhe koeficientët. Në total, nga ligji i ri përfitojnë rreth 10 mijë persona, përfshi dhe 15 mijë ushtarakë të tjerë, që asistohen nga ligji i mëparshëm. Efekti financiar llogaritet rreth 8.5 milionë dollarë në vit.

Qëllimi

Projektligji i miratuar të mërkurën në mbrëmje, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat bën unifikimin e përfitimeve suplementare të të gjitha kategorive ushtarake, kur ato kanë ndërprerë ose ndërpresin karrierën. Varianti i ri parashikon mbrojtje me të ardhura në mënyrë të unifikuar për disa shërbime, ndërkohë përcakton se shuma e të ardhurave të jetë e arsyeshme dhe e krahasueshme për të gjitha kategoritë e përfituesve dhe për të gjitha fushat e mbrojtjes. Personat që janë aktivë pas miratimit të këtij ligji do të paguajnë kontribut shtesë 2 për qind mbi pagën referuese.

Mosha

Qeveria, në variantin e ri të miratuar më 15 prill 2009, parashikon rritje të moshës për daljen në pension të parakohshëm. Konkretisht, sipas Ministrisë së Financave, mosha e daljes në pension ka dy variante, sepse sipas reformës të sistemit të pensioneve publike, duke filluar nga viti 2002, në mënyrë graduale, mosha e pensionit për burrat bëhet 65 vjeç, ndërsa për gratë 60 vjeç. Në këto kushte, në projektin e ri parashikohet që edhe mosha për të përfituar një pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga data e bërjes së ligjit do të bëhet 47 vjeç për gratë dhe 52 për burrat, përkatësisht nga 42 dhe 47 që është aktualisht.

Shtesat

Diferencimi ndërmjet ushtarakëve të liruar para miratimit të ligjit, më datë 20 maj 2005 me ato që do të trajtohen në të ardhmen lidhet me faktin se ushtarakët aktualisht, përveç së drejtës për të përfituar pension në një moshë më të lartë paguajnë edhe një kontribut që është 2 për qind në muaj e pagës bruto. Në këto kushte, projektligji i ri parashikon që pensioni i përkohshëm për çdo ushtarak në të ardhmen, i cili ka paguar kontribute, do të kufizohet me dyfishim të pensionit bazë të pleqërisë, shtuar me 2 për qind të këtij pensioni për çdo vit sigurimi, por jo më shumë se 20 për qind. Konkretisht, në nenin 3 të projektligjit, thuhet se "për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e shërbimit, e njohur sipas ligjeve për kategoritë përkatëse, do të bashkohen, ndërsa për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimeve njihet vetëm kur është vit i plotë". Në vjetërsinë e shërbimit përfshihet edhe koha e ndërprerjes së karrierës, si dhe koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim apo internim, për motive politike. Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1.5-fish. Përfitimet që jepen nga ky ligj, llogariten në bazë të pagës referuese, e cila përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat. Për efekt përcaktimi të përfitimit, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.

box

Shpërblimi

Të gjitha kategoritë e përmendura më sipër, nëse dalin në lirim pas miratimit të ligjit të ri, do të marrin një shpërblim të menjëhershëm në masën e dy pagave referuese mujore dhe më pas, nis trajtimi financiar me pagesë kalimtare, e cila jepet kur përfituesi ka jo më pak se tre muaj shërbim. Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Kohëzgjatja e trajtimit nuk zgjat më shumë se 24 muaj.

Pensioni i parakohshëm

Masa e përfitimit për pension të parakohshëm do të jetë 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese.

Pensioni suplementar

Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë. E njëjta procedurë ndiqet edhe për "përfitimin e pensionit suplementar të invaliditetit". Kur personat bëhen invalidë në krye të detyrës, masa e pensionit suplementar do të jetë 20 për qind e pagës referuese.

Suplementar familjar

Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe do të jetë 50 për qind për bashkëshortin/en e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar të familjes, në ngarkim.

Privat dhe shtet

Kontributet e reja

për titujt shkencorë

Qeveria ka miratuar disa shtesa të reja për kontributet që duhet të paguajnë personat me titujt shkencorë, në varësi të afatit të shërbimit, pagës dhe vendit të punës. Kështu, kontributet suplementare që paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror do të jenë 3.5 për qind të pagës bruto mujore, për të punësuarit në shtet dhe 7 për qind kontribut shtesë për personat që punojnë në privat. Këto shtesa i bashkëngjiten masës aktuale që është rreth 11 për qind. Neni 7 i ligjit, përcakton edhe masën e pensionit. Kështu, masa e pensionit suplementar do të jetë 1.3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit "profesor" dhe 1.1 për qind të pagës referuese për titullin "asistent profesor". Efekti financiar i ligjit të ri për pensionet suplementare të punonjësve akademikë, me tituj shkencorë është rreth 100 mijë USD në vit.

Përfituesit

Ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë: Oficerë, nënoficerë, studentë ushtarakë dhe kursantë për nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë, ushtarë të shërbimit të detyrueshëm, ushtarakë në rezervë/lirim/pension pleqërie;

Punonjësit e Policisë së Shtetit, kur janë aktivë, në pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë, kursantë dhe ushtarë (ndihmësagjent).

Punonjësit e Gardës, që gjenden në karrierë, punonjësit me status si kursantë, studentë dhe ushtarë, ish-punonjësit e Gardës, që janë në dispozicion, në pritje për riemërim detyre dhe ish-punonjësit e Gardës, që kanë dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit, më datë 23 mars 2003, të cilët trajtohen me pagesë kalimtare apo në pension.

Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, në marrëdhënie pune me SHISH-in, ata në lirim, me pagesë kalimtare, në pension, si dhe kursantët.

Punonjësit e Policisë së Burgjeve kur janë aktivë, me pagesë kalimtare në pension pleqërie, studentë, kursantë dhe ushtarë (ndihmësagjentë).

Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi

Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm

Anëtarët e familjeve të personave të përmendur më lart


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›