E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunim me Kosovën

Legalizimet

Pas ministrive të Brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës, tani dy dikastere të tjera vendosin të bashkëpunojnë dhe pikërisht ato që merren me kadastrat dhe pronat në tërësi. Drejtori i ALUIZNI-t Shaban Memia, dhe ai i Agjencisë së Kadastrës së Kosovës, Murat Mehja, kanë nënshkruar dje në Kukës një marrëveshje bashkëpunimi, e cila parashikon që të dy dikasteret të shkëmbejnë mes tyre eksperiencë në nivel institucional, si dhe të formalizojnë në mënyrë reciproke unifikimin dhe standardizimin e informacionit në fushat përkatëse. Institucionet në fjalë do bashkëpunojnë lidhur me zbatimin e politikave për legalizimin e pasurive të paluajtshme informale dhe përfshirjen në sistemin e regjistrimit, aktivitetin hartografik, si dhe shfrytëzimin e përpunimin e gjeoinformacionit, të objekteve informale si dhe territoreve ku ato shtrihen. Palët e përfshira në këtë marrëveshje, siç u tha në ceremoninë e rastit, do të organizojnë vizita të ndërsjella në institucionet respektive, trajnime të përbashkëta etj. Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishin të pranishëm edhe përfaqësues homologë nga Maqedonia, të cilët deklaruan se një marrëveshje e tillë do shihet si shembull nga pala maqedonase. Në këtë takim u diskutua edhe për sistemin gjeodezik shtetëror satelitor, zhvillimin e kadastrës së Kosovës, disiplinimin e ndërtimeve, si dhe ndërtimet informale, funksionimi i regjistrit për të drejtën e pronës së paluajtshme etj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›