Klubi i Punës nuk gjen punë
Klubi i Punës në Fier në 2 muajt e parë të ekzistencës së tij ka mundur të arrijë rezultat vetëm në 10 punësime. Sipas përgjegjëses së këtij klubi, Miranda Veliaj, aktualisht qëllimi i këtij klubi për dhënien e asistencës teknike për të gjithë aplikuesit është arritur dhe rezultatet janë parë në rreth 19% të rasteve. Fieri është i vetmi rreth që përfitoi nga projekti pilot i Klubit të Punësimit, projekt që ka më shumë se 2 muaj që ka nisur të aplikohet dhe që nxit punësimin. Qëllimi i këtij klubi dhe projekti njëkohësisht është dhënia e asistencës teknike se si duhet të paraqiten aplikuesit e një pune, si të prezantohen apo të plotësojnë një formular punësimi për të përmbushur misionin kryesor të minimizimit të papunësisë. “Aktualisht janë paraqitur 54 persona të papunë, të cilët kanë marrë pjesë në leksionet që janë dhënë nga stafi i Klubit të Punës në 3 javë. Gjatë kësaj kohe ata janë jo vetëm afër tregut të punës, informohen me adresat e bizneseve të ndryshme dhe me vendet e lira të punës, por mësojnë si të prezantohen, si të kërkojnë një vend pune dhe si të plotësojnë një formular aplikimi për punë”, thotë Veliaj. Por nga 54 kursantë, vetëm 10 persona arritën të gjenin punë. “Ne nuk kemi të drejtë që t’u imponojmë vendin e punës, por vetëm t’i informojmë dhe t’u japim mundësinë që ata të dinë si ta kërkojnë dhe në cilën mënyrë ta kërkojnë një vend pune, por kurrsesi t’i detyrojmë të zgjedhin punën”, ka thënë Veliaj. Deri tani 19% rezulton suksesi i këtij projekti në Fier, projekt që aplikohet nga Ministria e Punës dhe çështjeve Sociale.
#