Bashkëpunim në të gjitha fushat, me interes reciprok

Berisha pret ambasadoren egjiptiane me rastin e përfundimit të detyrës
Kryeministri Berisha pret ambasadoren e Egjiptit në Shqipëri Amina Gomma, me rastin e përfundimit të detyrës
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, ambasadoren e Egjiptit në Shqipëri Amina Gomma, me rastin e përfundimit të detyrës. Ai e falenderoi ambasadoren Gomma për bashkëpunimin e shkëlqyer që qeveria shqiptare ka pasur me ambasadoren gjatë kësaj periudhe dhe për kontributin e saj në forcimin e zgjerimin e marrëdhënieve e të miqësisë midis dy popujve e vendeve.
“Ambasadorja Gomma largohet si një mike e madhe e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar”- tha Kryeministri Berisha.
Nga ana e saj Ambasadorja Gomm e falenderoi Kryeministrin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë që ajo ka pasur me qeverinë shqiptare.
Gjatë këtij takimi u vlerësua miqësia tradicionale midis dy vendeve dhe u rikonfirmua vullneti i dy vendeve e qeverive për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, me interes reciprok. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu falenderimet për mbështetjen që Egjipti dhe Fondi Egjiptin i Bashkëpunimit Teknik ka dhënë e vijon të ofrojë në një sërë projektesh të rëndësishme, për kualifikimin e nëpunësve të administratës shqiptare.
Ambasadorja vlerësoi kryeministrin për zhvillimet e mëdha që Shqipëria ka njohur gjatë kësaj periudhe, si dhe e uroi për arritje të tjera në misionin dhe punën e qeverisë për zhvillimin e modernizimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të ambasadores Gomma, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në Tiranë.
...