E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria ka mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e integrimit”

23-08-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret një delegacion të Forumit Rinor të Partisë Kristiandemokrate Gjermane
 
Kryeministri Berisha prit dje, në takim, një delegacion të Forumit Rinor të Partisë Kristiandemokrate Gjermane, të kryesuar nga Presidenti i Forumit Philipp Missfelder, njëherësh zëdhënës për Politikën e Jashtme të grupit parlamentar të CDU-së. Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve, në veçanti marrëdhëniet e ngushta e bashkëpunimin e shkëlqyer me partinë simotër CDU.
Missfelder dhe anëtarët e tjerë të delegacionit e falenderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe shprehën vlerësimin për transformimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka shënuar gjatë kësaj periudhe, por edhe për potencialet e mëdha që ajo ofron për investitorët gjermanë në shumë fusha, në veçanti në atë të turizmit.
Kryeministri Berisha i njohu miqtë me reformat e arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare, për zhvillimin ekonomik me ritme të shpejta të vendit, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme rrugore e të tjera, në fushën e turizmit, të teknologjisë së informacionit, për krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime, luftën kundër korrupsionit, dixhitalizimin e thjeshtimin e procedurave administrative, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, si dhe arritjet e rëndësishme në ecjen përpara në projektin madhor të integrimit në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesit e CDU-së i shprehën Kryeministrit Berisha vlerësimet e tyre më të larta për këtë hov të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka arritur gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e koalicionit të Partisë Demokratike e Kryeministrit Berisha dhe rikonfirmuan mbështetjen e plotë të Gjermanisë dhe të forcës më të madhe politike të saj, Partisë Kristiandemokrate dhe Forumit të saj rinor, në të gjitha përpjekjet për integrimin në BE, por edhe në zgjerimin e thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, në veçanti në nxitjen e investitorëve të rëndësishëm gjermanë për të investuar në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›