E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi PD-LSI, kur nisën negociatat për qeverinë e re

Bashkëpunimi mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike nisi të përflitet që me daljen e rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ka qenë pikërisht Dritan Prifti i rikonfirmuar si deputet i LSI-së në zgjedhjet e 28 qershorit, ai i cili pas debatit të ashpër për numërimin e votive në qarkun e Fierit, deklaroi se LSI nuk do të bashkëpunojë me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama por është më e prirur për të bashkëpunuar me Sali Berishën. Këto diskutime do të hidheshin poshtë në fakt nga Ilir Meta në një intervistë telefonike në një media vizive. Më tej në kulmin e kësaj përfolje me datën 4 korrik në orën 11 të paradites Sali Berisha kërkon që Ilir Meta të bashkëqeverisë me të. Vetëm dy orë më vonë vjen reagimi i këtij të fundit, i cili deklaron se ka vendosur të bashkëpunojë me Sali Berishën në krijimin e qeverisë së re. Në fakt pas kësaj nisën të vlojnë argumentat pro dhe kundër këtij bashkëpunimi. Kulmi i tyre arriti në punimet e konventës kombëtare të LSI-së ku dy anëtarët Pëllumb Xhufi dhe Fatos Klosi dolën hapur kundër këtij bashkëpunimi. Pas kësaj nisën edhe komentet e para në media lidhur me pozicionet që do të kenë LSI me përfaqësuesit e saj në kabinetin e ri qeveritar. Edhe pse sot ata dalin zyrtarisht para medias ata janë takuar edhe herë të tjera siç ka qenë takimi i realizuar në korrik në Pogradec ndërsa kryeministri Sali Berisha ndodhej atje për të inaguruar një vepër e cila bëhej me para të buxhetit të shtetit. Pas kësaj opinioni publik nuk është njohur me asnjë takim tjetër të dy liderve të cilët sot konkludojnë në këtë marrëveshje për bashkëqeverisje.
Negociatat me aleatët e tjerë janë kondicionuar nga marrëveshja me LSI-në, pasi Berisha ende nuk ka nisur negociatat me aleatët e tjerë. Vetëm në fundjavë pritet të mbyllen negociatat ku edhe ato kërkojnë nga një ministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›