Miço: Dule të ikë! PBDNJ e vërtetë, në koalicionin qeverisës
TIRANË- Nënkryetari i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Thoma Miço ka theksuar edhe njëherë se kreu aktual duhet të heqë dorë nga drejtimi i partisë, ndërsa ka shtuar se PBDNJ e vërtetë e ka vendin në koalicionin qeverisës.
"Veprimet e gabuara dhe mungesa e alternativave të kryetarit të PBDNJ-së Vangjel Dule po i vuan minoriteti grek, duke i njollosur dhe tjetërsuar moralin e tij, vlera të fituara me shumë mund dhe djersë gjatë 18 viteve"- tha ai sot gjatë një deklarate për mediat.
Sipas tij, "është në të mirën e partisë dhe të elektoratit të saj , që Dule të largohet nga posti që mban, për t'i hapur rrugë zhvillime statutore, me qëllim që PBDNJ të rikthehet në rrugën e misionit të saj historik, në vend që ai të shtrijë dorën për pak pushtet të pamerituar".
Miço theksoi se PBDNJ e vërtetë e ka vendin në koalicionin qeverisës, 'por jo me sharlatanë që i shkaktuan partisë dhe anëtarësisë së saj dëmin elektoral më të madh të të gjitha viteve".
Sipas tij, insistimi i Dules për të qëndruar në krye të partisë, do të rezultojë njëlloj fatal edhe në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal, ashtu siç rezultoi në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit.
15 gusht
Posti i kryetarit, përplasje Dule-Miço në PBDNJ
TIRANË- Thellohen debatet brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ku Thoma Miço deklaron kandidimin e tij në postin e kryetarit dhe në këtë mënyrë i kërkon Vangjel Dules të dorëhiqet. Ndërsa ku i fundit i kujton Miços se nuk është më anëtar partie dhe mund të kandidojë tek PD-ja ku prej muajsh.
Gjatë një prononcimi për mediat, Miço u shpreh se "Dule doli nga koalicioni me PD-në, për shkak të një marrëveshje të fshehtë që kishte bërë me Edi Ramën 7-8 muaj para zgjedhjeve, të cilën nuk e kishte publikuar asnjëherë në organet drejtuese të partisë".
"Për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë zotit Rama për të qenë në koalicion me të majtën, ai priti derisa Berisha të nënshkruante një marrëveshje me PDI-në që të aludonte se pikërisht përçarja ose divorci politik me Sali Berishën ka për shkak këtë marrëveshje", tha Miço. I pyetur nga gazetarët ai shprehu ambicien për të drejtuar PBDNJ-në.
Ndërsa Kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule deklaron se "Thoma Miço nuk mund të garojë për kreun e PBDNJ-së pasi nuk është më anëtar i kësaj partie. Ai duhet ta ketë fjalën për Partinë Demokratike pjesë e së cilës është bërë që nga zgjedhjet e fundit parlamentare". Sipas tij, Miço nuk ka asnjë funksion në PBDNJ. Konfliktet brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë nisur muaj më parë pasi Dule kërkoi që të zëvendësonte në detyrën e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barkën me Anasatas Duron. Pas kësaj kërkesë, si Barka edhe Miço, akuzuan Dulen se po punon në kundërshtim me statutin dhe me frymën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Gjatë 4 viteve të kaluara ka qenë pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës, ndërsa për zgjedhjet e 28 qershorit, PBDNJ nënshkroi marrëveshje elektorale me PS-në duke u bërë pjesë e koalicionit të majtë.
**************
18 korrik 2009
Dule refuzon ftesën, Berisha: Kujdes, Vangjel!
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha, i cili pretendon se është fitues në këto zgjedhje, i ka bërë ofertë edhe kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, që të jetë pjesë e qeverisjes.
Por, kryetari i PBDNJ-së, duke i qëndruar paktit të firmosur me PS-në para zgjedhjeve, ka deklaruar dje se nuk ka ndërmend të bëjë qeveri më Berishën, por të kërkojë krijimin e një qeverie teknike, që do të plotësonte të gjitha kushtet, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. "Këtu po diskutojmë për çështje madhore dhe ideale dhe ju po më flisni për pazare anadollake.
Nuk janë në karakterin tonë. Nuk jemi shquar dhe nuk do t'i hyjmë tani tundimit të këtij lloj pazari",- tha Dule. Për pasojë, kryetari i PBDNJ-së u shpreh se duhet një qeveri solide, e dalë nga zgjedhje të ndershme dhe rregulla loje demokratike, rreptësisht të respektuara.
"Në këto kushte, këtyre sfidave, vendi ynë mund t'u përgjigjet me sukses vetëm me një qeveri teknike, me agjentë të mirëpërcaktuar në obligime dhe në kohë, e cila krahas të tjerash do të garantojë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja, të cilat do të duhen më në fund edhe në vendin tonë të zhvillohen konform atyre standardeve që respektohen në të gjitha vendet e qytetëruara",- tha Dule.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Sali Berisha. "Unë e dëgjova Vangjelin, por i them atij dy gjëra: Në politikë "asnjëherë mos thuaj kurrë". Së dyti: Unë i dola borxhit atij. Kur u ndava me të, i thashë vetëm kaq: Vangjel kujdes!", tha Berisha.
Ndërkohë, nisur nga rezultati paraprak i zgjedhjeve, ku PBDNJ-ja arriti të fitonte vetëm një deputet, kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, ka deklaruar se, procesi zgjedhor do të jetë pjesë e analizës së strukturave të kësaj partie. Menjëherë pas konferencës për shtyp, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama, larg vëmendjes së medias.