E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkëpunimi PS-LSI pengohet nga aferat Rama-Berisha”

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, akuzon kreun e PS-së se bashkëpunimi i tij i dyshimtë dhe aspak transparent me Sali Berishën po mban peng zhvillimin e kryeqytetit. 

Aristir Lumezi

Ai i bën apel Ramës të distancohet nga kjo lidhje e tij me kryetarin e maxhorancës dhe të kthehet tek aleatët natyralë. Në të kundërt, sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në 2009-ën do të jetë produkt i injorimit të këtij bashkëpunimi mes të gjitha partive opozitare. Ai shprehet se këtë e vërtetuan më së miri zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.      
Pse LSI ka insistuar vazhdimisht duke e përkufizuar si shumë të dobët qeverisjen e PD dhe të Kryeministrit Berisha në këto tre vjet?
Opozita jonë dhe ky përcaktim i yni politik se kjo është qeverisja më e dobët që ka parë vendi, daton që në shtator të 2005-ës, kur ne votuam kundër programit me të cilin kjo qeveri u votëbesua për herë të parë, sepse një opozitë serioze mundet dhe do të duhet të vlerësojë e marrë qëndrime për kundërshtarët e saj politikë në bazë të programeve, veprimeve dhe sjelljeve të tyre në raport me vendin dhe qytetarët. Këtu fillon edhe vlerësimi ynë për të dhe qindra fakte veprime qeverisëse thellësisht të gabuara, kriza financiare, korrupsioni i frikshëm që kulmoi me Gërdecin si dhe shthurja dhe delegjitimimin e administratës shtetërore, duke e shndërruar atë në një puzzle ngastrash politike të njërës apo tjetrës parti, që qeveris ministritë përkatëse na dhanë plotësisht të drejtë për ta përkufizuar si një qeverisje shumë të dobët. Duke përdorur si instrument qeverisjeje një demagogji mediatike gebelsiane, qeverisja e Berishës ka harruar qeverisjen e vërtetë për dy arsye; së pari, sepse klientelizmi politik dhe dëshira e shfrenuar për pasurim personal është e pakontrolluar dhe, së dyti, sepse instrumentet qeverisëse të dominuar nga një përzgjedhje partiako-elektorale kanë bërë që të atrofizohet çdo mundësi për të qeverisur mirë, duke bërë që kriza e qeverisjes të thellohet pas çdo viti, duke u rënduar progresivisht.
Mendoni se pozicionimi si opozitë e fortë me maxhorancën është instrumenti më i mirë apo bashkëpunimi për çështje të caktuara me të është i domosdoshëm?
Janë dy mekanizma qartësisht të ndarë dhe që në asnjë rast nuk duhet të përzihen me njëri-tjetrin. Që duhet një opozitë e fortë dhe pa kompromis për LSI-në, nuk ka asnjë dilemë që duhet të jetë e tillë. Arsyet që motivojnë janë të shumta, por mbi të gjitha është kriza e pashembullt që ka pushtuar vendin, duke e zhytur atë në një varfëri të frikshme dhe të tejskajshme që ka stimuluar nga ana tjetër krimin dhe mjaft fenomene të tjera shumë të rrezikshme shoqërore, si dhe nga ana tjetër sjellja shumë kokëfortë, tërësisht refraktare dhe e papërgjegjshme e kësaj mazhorance edhe përpara situatave shumë tragjike, siç ishte p.sh. Gërdeci, ku reagimi i saj që nga më të pashembullti përsa i përket marrjes së përgjegjësive, por arriti deri aty sa të flitej marrëzisht edhe për suksesin e qeverisë në përballimin e emergjencës, a thua se ishte një bombol gazi që shpërtheu në banesë dhe shyqyr që zjarrfikësit arritën në kohë ta shuanin. Përsa i takon bashkëpunimit për çështje të mëdha, veçanërisht për ato që i takojnë integrimit të vendit në BE dhe NATO, mendoj se bashkëpunimi ka qenë i plotë dhe i mjaftueshëm. Ngatërrimi i këtyre raporteve me maxhorancën dhe bërja e lëshimeve ndaj Berishës dhe qeverisjes së tij në emër të NATO-s etj., ka qenë edhe gabimi fatal që ka bërë lidershipi i PS në disa raste, duke i dhënë kohë Berishës për të kaluar situatat kritike ku është ndodhur e ku më pas nuk ka ngurruar që të përvetësojë meritat, si në rastin e dialogut për NATO-n apo edhe të përdhunojë deputetët socialistë pa iu dridhur qerpiku, sepse mbështetja në dëm të parimeve dhënë atij nga PS-ja ka krijuar këtë komoditet. Kjo tregon që nuk ka pasur asnjë vullnet për t’u zhvilluar reforma në interes të integrimit evropian të vendit apo në NATO, por thjesht në një ortakëri në kapjen e shtetit, të institucioneve dhe realizimin e interesave të dyshimta ekonomike që dëmtojnë interesat publike. Mendoj se gjithçka po qartësohet dhe gjithnjë edhe më shumë nga kjo marrëveshje Rama-Berisha, paraqitur si një bashkëpunim gjoja për interesa të vendit, ka të bëjë me një aferë të madhe që nga mbyllja e çështjes së tragjedisë së Gërdecit dhe deri te kthimi i një Gërdeci urbanistik edhe të këtyre terreneve sportive apo sipërfaqeve të gjelbra që kanë mbetur në kryeqytet, apo në zona të tjera të vendit.  
Në shtator rihapet viti politik, që është njëkohësisht edhe një vit elektoral. Si starton LSI-ja?
Shtatori starton për LSI-në vetëm me një prioritet madhor, atë të opozitës së fortë dhe pa asnjë kompromis me Berishën. Opozita shumë e prerë dhe e qartë e LSI-së, e cila kërkoi dorëheqjen e Berishës të nesërmen e shpërthimit në Gërdec si dhe kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së tragjedisë dhe fajtorëve të Gërdecit, do të ruajë po të njëjtin profil si deri më tani, por duke intensifikuar në formë dhe përmbajtje opozitën tonë ndaj Berishës.
Si shihen raportet e LSI-së me PS-në në këtë fillim të sesionit të ri parlamentar dhe zhvillimeve më të fundit?
Parë në këtë vështrim, raportet me PS-në janë tërësisht të kushtëzuara nga reflektimet e lidershipit të saj lidhur me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor, të cilin Berisha e do për të ligjëruar vjedhjen e votës prej tij, si dhe reflektimi serioz mbi shkeljet flagrante të ligjshmërisë lidhur me tjetërsimin e ambienteve sportive dhe hapësirave të gjelbërta, si parku i Liqenit Artificial. Zëra të dobët në PS po mundohen në mënyrë thellësisht qesharake të evokojnë Tiranën e Ramës, që është sot më e betonuar se kurrë dhe t’i kundërvihen shqetësimit të madh të qytetarëve të Tiranës për asfiksimin e tyre, thjesht dhe vetëm për një vend të shkretë në listën e ardhshme të deputetëve. Duke pasur laguna të mëdha në formimin intelektual, që vjen dhe nga varfëria trashëgimore e tyre si dhe nga vokacioni servil sistematik, që ka qenë instrumenti i vetëm për të mbijetuar, këta zëra në PS po “ndihmojnë” në denatyrimin e saj si dhe po lodhen me kot që t’i mbushin mendjen opinionit publik, se këta individë janë shpresa e këtij vendi, në një kohë që nuk kanë asnjë lloj gjurme si në planin personal, ashtu edhe atë familjar për këtë vend, që ta mbështesë këtë imagjinatë të çartur të tyre, duke mbetur thjesht dhe vetëm ca fjalamane, që si fishekzjarrët ndizen e fiken në çast. Këto lloj zërash nuk militojnë për krijimin e  një opozite kohezive, por i bëjnë shërbim strategjisë “më mirë një deputet më pak i LSI-së në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se kështu shkon një deputet më shumë në favor të Berishës”. Kjo sigurisht që është provuar tashmë gjerësisht dhe është një vetëvrasje për PS-në, ndonëse ndonjë prej këtyre skifterëve servilë do të siguronin një vend në Parlament. 
A mendoni se do të ketë mundësi bashkëpunimi me Partinë Socialiste në situatën e re të krijuar?
Mendoj se bashkëpunimi mes opozitës është jo vetëm një nevojë, por edhe një domosdoshmëri për të garantuar mbi të gjitha bllokimin e uzurpimit diktatorial të Kryeministrit Berisha ndaj gjithë institucioneve, e në veçanti për të pasur sukses në luftën e opozitës kundër këtij korrupsioni të jashtëzakonshëm që përfaqëson dhe kultivon përditë në mënyrë të pandalshme qeverisja aktuale. Ky bashkëpunim lidhet edhe me çështjen përsa i takon fitores së opozitës mbi Berishën në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2009. Por, sikurse dihet, ka qenë lidershipi i PS-së, që në mënyrë të njëanshme, jo vetëm ka shkelur marrëveshjen e pesë partive opozitare, por njëkohësisht ka hyrë në marrëdhënie flagrante, të cilat cenojnë jo vetëm funksionimin e institucioneve demokratike në vend, të cilat goditën rëndë Kushtetutën e vendit dhe gjithë thelbin demokratik të saj që bazohej në ndarjen dhe balancat midis pushteteve, por njëkohësisht edhe përsa i takon deformimit të procesit të ardhshëm zgjedhor në vend, nëpërmjet miratimit të një Kodi Zgjedhor që ligjëron vjedhjen e votave nga Berisha si dhe aferat më të fundit lidhur me tjetërsimin dhe betonizimin e hapësirave të gjelbërta në Tiranë dhe asgjësimit të klubeve sportive të kryeqytetit ‘Partizani’ e ‘Dinamo’, duke shkelur haptazi ligjin “Për sportin”. Në këto kushte kuptohet kur PS-ja bashkëpunimin brenda opozitës e ka zëvendësuar me një bashkëpunim krerësh me Partinë Demokratike, në funksion jo të fuqizimit të opozitës, por të dobësimit të saj, të gjitha premisat për një bashkëpunim varen kryekëput nga distancimi prej këtyre lidhjeve aspak transparente dhe parimore midis Ramës dhe Berishës, dhe rikthimin e PS-së në pozicionin e një opozite parimore, e cila është e ndërgjegjshme, që vetëm duke bashkëpunuar me forcat e opozitës, mund të imponojë një bashkëpunim të dobishëm edhe me maxhorancën përsa i takon garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 2009-ën.
Por gjithnjë e më shumë argumentohet nga PS-ja se prania e dy koalicioneve opozitare rrezikon fitoren e saj...?
Është një pretendim abuziv dhe provokativ në mungesë të plotë të argumenteve nga përfaqësues të PS-së, pas shndërrimit të lidershipit të PS-së në një shtojcë të Berishës për dhurimin e Kushtetutës, për Kodin Zgjedhor dhe për aferat ndërtimore. Sigurisht që në garën e ardhshme elektorale, e gjithë përgjegjësia për rezultatin e opozitës bie mbi lidershipin e PS-së, i cili dekurajon zgjedhësit opozitarë me veprimet e tij të paprincipta dhe me përsëritjen e të njëjtës papërgjegjshmëri si në 3 korrik 2005, kur dhe atëherë i dhuroi fitoren Berishës, duke i dhuruar edhe ish-aleatët e djeshëm atij, të cilët po vetë PS-ja dhe deputetët e saj iu dhuruan vota, duke i vjedhur haptas dhe në mënyrë të paskrupullt nga votat e LSI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›